Politika amoralshme FRD dhe teza e moralit
Nga Qani Hamzaj
Ndryshimet në Kodin Elektoral të Prillit 2008 e gjetën kryetarin aktual të FRD-së, President Republike. Edhe pse PD dhe PS gatuan shpejt e shpejt një gjellë tradicionale shqiptare në atë fundprill, shije e dy partive kryesore, ky i fundit duhej vetëm të vuloste faturën e asaj mbrëmje groteske në parlament. Bëhet fjalë për atë kod të shumë debatuar dhe kontestuar në atë kohë nga LSI, atë kod që çoi LSI në grevë urie në sallën e parlamentit, atë kod që largoi nga PS disa deputet, atë kod që mbajti nga ajo ditë LSI-në forcë përcaktuese në qeverisje për secilën nga dy partitë e mëdha, atë kod që sot dëm të fundit ka betejën mes PD-LSI, shkak shkarkimi i anëtarit të propozuar nga LSI në KQZ, por në kohën e qeverisjes me Partinë Demokratike. Pra me pak fjalë as vetë nuk dinë tashmë se çfarë kodi kanë gatuar në ata pak orë të prillit 2008. Një gjë është e sigurt, nuk po i shijon tashmë asnjërës, as PD dhe as PS, dy shefat e kuzhinës së prillit 2008.
Kodi për partitë e vogla politike shton shanset për përfaqësim politik në parlament vetëm nëpërmjet një koalicioni me PD ose PS, ose një alternativë e tretë, bashkimi i shumë forcave. AK dhe FRD, forca politike, njëra me tezën e bashkimit kombëtarë dhe nacionalizmit të moderuar dhe tjetra me tezën e moralit politik, vendosen të dalin të vetme në zgjedhje, pra larg marrëveshjeve të tavolinave.
Kjo iniciativë e guximshme do ta quaja mbart me vete disa rreziqe:
1; mospërfaqësimin në Parlament.
2; votat për tu përfaqësuar, por garantimi i votës në numërim mund të çojë në manipulim, për shkak se nuk ka komisioner në komisionet e niveleve të dyta, shkurt vjedhje e një partie e pamundur të mbrojë votuesit, kjo e ligjëruar në Kod.
E treta dhe më e guximshmja iniciativë politike e FRD-së, është teza e moralit. Në fakt është pak e çuditshme që sot të dëgjosh teza morali në politik, në një politikë, të pamoralshme, por nëse paska, pse jo. A do të ishte bashkëpunim i pamoralshëm nëse FRD do bashkohej me PD? Sigurisht do maksimizonte votat, por jo moralin. A do ishte e moralshme me PS, sigurisht do maksimizonte votat, jo moralin. Ne të dy koalicionet morali bie. Të bashkuar për interesa madhore politike dhe personale, si me PD ashtu edhe me PS, të ngjall habi të madhe se si rrezohen të gjitha ata shtylla morale që mbajnë në këmbë dinjitetin, kthehen nga armiq në miq të përbetuar, duke na treguar se tjetri është e këqija e këtij vendi, ndërsa nesër bashkëjetojnë me të keqen, tashme jo më e tillë. Mundohen të na tregojnë modele europiane, ndodh edhe në bashkëqeverisjet e vendeve me demokraci të konsoliduar, partitë lëvizin nga koalicione, bashkohen dhe ndahen etj, etj,. Po, patjetër. Por kush mund te na thotë se këta modele qe ata na servirin, ka shkatërruar demokracinë që e kanë ndërtuar me dekada apo shekuj ne ata vende qe ata marrin model. Kush është ai model politik që votuesit apo qytetaret e tyre i ndjellin sikur të ishin bagëti, duke i mashtruar me plane strategjike, ekonomike, mirëqenie, rrugë, bujqësi e ku ta di çfarë tjetër.. A mos i referohen modelit të fundit italian. Një qeveri e munguar prej muajsh, por që shteti funksionoi. Parti që për implementimin e programeve të tyre, nuk u bashkuan për hir të atyre premtimeve që ju kanë bërë miliona qytetarëve, por gjithsesi shteti funksionoi. Mos i referohen Belgjikës. Muaj të tërë pa qeveri, shoqëria funksionoi, madje më mirë se me një qeveri. Pra kujt modeli i referohen që politika u ndaka dhe u bashkoka, si në Shqipëri. Po, ndryshimi është se kjo e jona është konflikt i pastër politik, në dëm të qindra mijërave familje të varfra, në dhjetëra zona që ska as rrugë e as ura, ska as ndihma ekonomike e as punësim. A është ky morali i kësaj politike konfliktuale, që për interesa anëtaresh janë të gatshëm të çojnë vendin dhe në konflikte që ne i kemi përjetuar më shumë se njëherë. A duhen ndjekur këta drejtues partive politike, që vetëm moral skanë kur ju drejtohen shqiptarëve për vota, dhe pastaj me ata premtime dhe ata zgjedhës bëjnë çtë duan. Kjo pra është politika jonë e moralit, dhe që sot ka zënë vend në strofullat dhe sqetullat e njëri-tjetrit, por edhe pse ndonjërit i mungon deodoranti, nuk çuditemi, tashme kjo punë mban erë. Që ndokush të vendos, që edhe pse i vetëm në zgjedhje, me tezën e moralit, për të mos u bërë palë me koalicionet e amoralit, të garojë pa asnjë masë mbrojtëse në një betejë, me shkelma, gjemba dhe bërryla, nga goliathët e politikës shqiptare, edhe kjo sduhet të na çudisë.
Pra pavarësisht bindjeve politike, ajo që vlerësoj nëse FRD, ose kushdo tjetër parti që pretendon se ka një mbështetje në elektorat, dhe jep shembull se nuk bëhet pjesë e këtyre pazareve duhet mbështetur me votë, jo për bindje politike, por për iniciativën se edhe në një politikë të pamoralshmish, paska indicie për të ndryshuar diçka, dhe guxohet të testohet një tjetër politikbërje.