Borxhi grek: BE bie dakord për një ndihmë financiare
Vendet e Eurozonës kanë rënë dakord për një paketë shpëtimi shumëmiliardëshe për Greqinë, si pjesë e masave që po merren për të shpëtuar monedhën e përbashkët, euro. Lajmi nuk është bërë publik, por sipas burimeve konfidenciale, të cilave u referohet gazeta britanike “The Guardian”, Brukseli ka bërë të ditur se Berlini ka qenë më në fund pro ndihmës financiare ndaj Greqisë, pavarësisht rezistencës së madhe që i ka bërë një vendimi të tillë publiku gjerman. Tani pritet që të gjithë ministrat e Financës së Eurozonës, bashkë me atë të Greqisë, ta nënshkruajnë marrëveshjen të hënën. Ndërkaq, edhe libri i rregullave të monedhës së përbashkët do të rishkruhet për të vënë theksin tashmë në shtimin e disiplinës fiskale te të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Këto të fundit kanë rënë dakord që “të koordinojnë kontributet bilaterale” në formën e kredive apo garancive për Greqinë, nëse Athina do ta shohë të pamundur që të rifinancojë borxhin e saj shumë të lartë dhe do të kërkojë ndihmë nga vendet e Bashkimit Europian. Sipas disa burimeve të tjera nga Brukseli, ndihma mund të kapë shifrën e 25 miliardë eurove, edhe pse sipas vlerësimeve që i është bërë nevojës që ka Greqia, këtij vendi do t’i duheshin 55 miliardë euro për të dalë nga situata e kolapsit, deri në fund të vitit. Gjermania, vendi më i fuqishëm i Bashkimit Europian dhe më i pasuri, por njëkohësisht edhe më i tërhequri për sa i përket vendimit për të dhënë para për Greqinë, një vend që ka jetuar jashtë mundësive të veta, duke gënjyer vazhdimisht në lidhje me situatën e vërtetë të buxhetit, ka luajtur një rol të rëndësishëm në organizimin dhe formulimin e paketës në fjalë. “Ka pasur një periudhë parapërgatitore shumë intensive. Ne kemi mënyrat dhe rrugët për ta bërë një gjë të tillë”, ka deklaruar një zyrtar i lartë për gazetën e mësipërme. “Kjo paketë do të jetë një tërësi kontributesh të kombinuara mes qeverive europiane. Ndërsa për sa i përket llojit të kontributit bilateral, ai do të jetë i tipit kredi apo garanci për kredi. Garancitë do të lehtësojnë llojin e fondeve që duhen potencialisht në këtë kontekst”.
Rregullat që do të drejtojnë operacionin për shpëtimin e monedhës së përbashkët parashikojnë një paketë ndihme financiare për një vend që është në prag të falimentimit. Berlini, në mënyrë të veçantë, ka qenë shumë i shqetësuar në lidhje me mundësinë se çdo vendim i qeverisë për ta ndihmuar financiarisht Greqinë mund të hidhet në Gjykatën e Lartë. Zyrtarët e lartë kanë bërë të ditur se marrëveshja nuk pritet që të përfshijë kontribute të drejtpërdrejta nga ana e taksapaguesve. Komisioni Europian, së bashku me paketën e ndihmës financiare, është duke punuar edhe për hartimin e rregullave më të ashpra dhe më strikte në lidhje me funksionimin financiar të Eurozonës, duke përdorur pushtetin e përfituar nga hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës.
Ndërkaq, evropianët, edhe pse janë përgatitur tashmë që ta ndihmojnë financiarisht Greqinë, sigurisht që shpresojnë se ajo do t’ia dalë vetë të mbijetojë nga katastrofa dhe me masat e marra së fundmi për të reduktuar deficitin buxhetor nuk do të ketë nevojë për masat ekstreme financiare të shpëtimit. Por për të parë se si po shkojnë punët në Greqi dhe a po e mban fjalën Papandreu, ata javës së ardhshme do të analizojnë veprimet e deritanishme dhe do të vendosin edhe për hapat e parë të Kryeministrit grek. Në prill pritet edhe parashtrimi i propozimeve të reja për sigurinë e monedhës së përbashkët dhe ka shumë mundësi që Eurostatit t’i jepet një detyrë shtesë, ajo e auditimit.
#