Shërbimi dentar falas, jepet me para
Jo të gjithë mund ta dinë, madje as kategoritë që përfitojnë nga lehtësirat shëndetësore, megjithatë ligji parashikon që grupe të caktuara të marrin shërbim dentar falas. Madje në çdo qytet të vendit ka një klinikë tek e cila mund të trajtohen nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, deri në 18 vjeç, pensionistët, kryesisht veteranët e luftës, si dhe personat me aftësi të kufizuar. I gjithë shërbimi, nga konsulta e deri te medikamentet dhe kujdesi shëndetësor me pajisje e aparatura, për këto kategori jepen falas. Ndërkohë që pothuajse në çdo qytet ka nga një klinikë dentare shtetërore ku marrin trajtim të gjithë kategoritë që rimbursohen nga shteti, në kryeqytet ky shërbim jepet vetëm nga dy poliklinika. Mendohet që edhe në Tiranë do të ketë një qendër të veçantë, e cila do të ngrihet vetëm me qëllim për dhënien e shërbimit stomatologjik. Shërbimi, qendra, punonjësit, materialet dhe gjithçka tjetër teknike paguhet nga shteti, ndërkohë që jo në pak raste personeli është kapur në gabim, duke punuar në shtet, por në fakt duke marrë para në këmbim të shërbimit shëndetësor. Sipas sektorit të stomatologjisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë, nga inspektimet e kryera, kryesisht në qendrat e rretheve janë konstatuar rreth 15 shkelje, dhe për 6 prej tyre janë marrë masa administrative.
KontrolletNë sektorin shtetëror do ketë kontrolle në poliklinikat dhe qendrat shtetërore dentare ku ofrohet shërbim stomatologjik falas për një pjesë të caktuar të popullsisë. “Jemi në dijeni se në sektorin shtetëror ekzistojnë probleme me ata stomatologë që ofrojnë shërbim me pagesë, për ato kategori që në fakt shërbimin duhet ta kenë falas. Janë dhënë disa masa fillestare, ndërkohë që kontrollet do të vazhdojnë. Toleranca do jetë zero për të gjitha rastet flagrante”, theksoi Nuredini. Sipas tij, shteti kujdeset dhe paguan një faturë për t’u krijuar mundësinë e shërbimit falas të gjithë atyre personave që karakterizohen si kontingjent që ka nevojë për lehtësira më shumë se të tjerët.
Shërbimi dentarShërbimi dentar për nxënësit e shkollave deri në maturë parashikohet specifikisht në ligjin e ri. Sipas legjislacionit në fuqi, një stomatologe kujdeset për nxënësit e dy apo tre shkollave, bën depistimin, dhe më pas, në bazë të kartelës personale të plotësuar prej dentistit, specialisti i poliklinikës apo i qendrës dentare kryen të gjitha shërbimet e nevojshme. është e patolerueshme që dentisti të punojë pa syze, doreza apo vetë klinika të mos jetë e pajisur me autoklavë.
Dokumentacioni, licenca, kualifikimi i plotë i stomatologut, si dhe higjiena, janë kushtet kryesore që duhet të përmbushin klinikat stomatologjike për të vazhduar aktivitetin.
Ndërkohë që rregullat e reja kërkojnë domosdoshmërinë e afishimit të çmimeve, për çdo shërbim të ofruar.
Sakaq, pavarësisht shërbimit që jep shteti, një pjesë e mirë edhe e kategorive që mund të përftojnë nga lehtësirat e rimbursimit, preferojnë t’i drejtohen sistemit privat, në rastet kur kanë mundësi ekonomike për të përballuar faturën financiare.
#