Borxhi i përjetshëm ndaj Perëndimit
Dhjetë vjet nga fillimi i luftës së aleancës perëndimore kundër regjimit të Milosheviçit
Pse është dukur e pamundur? Për të gjithë ata të cilët e kanë “shijuar” regjimin gjakësor të apartheidit ndaj shqiptarëve që e ka ushtruar ky regjim për dhjetë vjet pa ndërprerje (1989-1999), vuajtja individuale dhe kolektive e shqiptarëve të Kosovës është bërë fatum për të cilin kemi menduar se nuk mund ta ndryshojë askush dhe asgjë. Thjesht, mendonim se kështu paska qenë e shkruar dhe çdo rezistencë kundër aparatit ushtarak të fuqisë më të madhe në Ballkan, çfarë ishte atëherë Serbia, është e kotë. Jeta e njeriut ka qenë aq e pavlefshme saqë edhe vdekja ka qenë më e mirë se një gjendje e tillë ku shqiptari ka qenë i poshtëruar në çdo rrafsh dhe në çdo hap. Regjimi i aparteidit i ushtruar në Kosovë, ka qenë i vetmi regjim racist në Europë i ushtruar ndaj një populli të vjetër dhe europian, i pashënuar brenda një periudhe shumë të gjatë, ndoshta edhe me shekuj të tërë. Flas për Europën dhe e marr Europën si parametër, sepse, Europa është ajo me të cilën duhet të matemi.
Nga një Jugosllavi e cila ishte burgu i shumë popujve, veçanërisht të shqiptarëve, filluan të shkëputen popujt dhe të formojnë shtetet e pavarura, kuptohet në luftëra të përgjakshme sepse, të kesh punë me Millosheviqin dhe aparatin e tij ushtarak, do të thotë që lufta është e paevitueshme. Çdo e drejtë, qoftë ajo edhe e drejta natyrore dhe historike e secilit komb që ta ketë shtetin e vet, nuk ka mundur të realizohet pa gjakderdhje. Shqiptarët mbeten të robëruar brenda kafazit nga i cili dukej se nuk kishte rrugëdalje.
Dita, ora dhe momenti i mbrëmjes së 24 marsit 1999, kur Havier Solana, i cili ishte në atë kohë sekretar i përgjithshëm i NATO-s, e shpalli fillimin e fushatës së armatosur kundër regjimit të Millosheviqit, ishte moment gëzimi dhe shprese se, më në fund, do t`i vijë fundi gjakësorit ballkanik dhe aparatit të tij. Fushata ka ka zgjatur 78 ditë.
Lufta e NATO-s kundër Serbisë ka shënuar precedencë në historinë e luftërave botërore. Për të parën herë një palë e tretë (NATO), ka ndërhyrë në formë të armatosur në konflikt mes dy palëve: aparatit shtetëror të Serbisë në një anë dhe guerilëve të UÇK-së në anën tjetër, të cilët e mbronin popullatën shqiptare nga invazioni i ushtrisë dhe policisë serbe. Kjo ndërhyrje e ka futur në terminologjinë e së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare nocionin e “palës së tretë intervenuese”.
Sot, dhjetë vjet pas fillimit të Luftës, e kemi të qartë se kombi ynë ka një borxh të përjetshëm ndaj Perëndimit. Në rend të parë ndaj SHBA–ve të cilët janë miku i paluhatshëm i shqiptarëve që nga viti 1919, kur Presidenti Wilson e përkrahu Shqipërinë e pavarur. Kombi ynë ka borxh ndaj Britanisë së Madhe, kryeministri i së cilës Tony Blair ishte mbështetësi kryesor i Presidentit Clinton në nisjen e kësaj fushate.
Sot, dhjetë vjetë më vonë, Kosova është shtet i pavarur dhe tani çdo gjë është në duart e shqiptarëve. Rruga e kthimit në civilizim është e gjatë dhe e mundimshme sepse, për një kohë të shkurtër nuk mund të kompensohet ajo që dikush tjetër e ka shkatërruar me shekuj dhe ku Millosheviqi ka qenë vetëm kulminacioni i trajtimit poshtërues të shqiptarëve. Shpresat janë të mëdha, sepse, tani çdo gjë varet nga ne.