NATO në tokën e shqiptarëve
Bashkimi lëshimi më i madh - Ndërthurje e habitshme: 1999 - Shqipëria ishte e pavarur, në Kosovë u vendos NATO. 2008-2009, Kosova u pavarësua, Shqipëria në NATO.
Pyetja më e pavend dhe vërejtja më e pamend është, ajo e një numri të paktë, që e keqmendon dhe keqshpjegon ndjenjën e posaçme shqiptare, e nxitur nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, më 1 prill 2009, ora 9 e 48 minuta, sipas kohës së Uashingtonit. Pse, Kroacia e përjeton ftohtë e përciptazi futjen në Aleancën e Atlantikut të Veriut, thonë ata. Apo, sikur kjo t’i ndodhte një vendi perëndimor, i cili të mos qe në NATO e të pranohej tani, atje, thuajse, nuk do të shënohej fare si ngjarje, hamendësojnë këta, jo vetmevete a nëpër kafene, por deri në ekranet televizive.
Kjo sjellje shqiptare, nuk vjen për mosshkëputjen e tij nga folklorizimi i historisë. As si zbrazje e entuziazmit të tepruar nëpër gëzime të kursyera. Madje, duhen kundërshtuar edhe akuzat se ka përdorje nga e djathta, për parafushatë zgjedhore. Përjetimi festiv buron nga vuajtja. Ngarkesa e veçantë vjen nga shpresa. Besimi i prekshëm lind nga bashkëngjitja, ditë pas dite, me Europën. Mendimi se, drama kombëtare nga të qenit shtet jetim - pa aleatë, nuk do të luhet si e atillë, madje, guxohet të gjykohet që, shpresa e largët për mirëqenie është cekur, sepse ky komb ka filluar të vetëndjehet edhe i mbrojtur. Çfarë bën koha, të diturit nuk e parathonë dot. Ajo që u ka ndodhur shqiptarëve të ndarë - i copëtuan për t’i zhbi - sidomos, Shqipëria dhe Kosova, kanë ndërprerjen e asaj gjendjeje ankthi, midis të pamundurës së pashmangshme dhe zhgjëndrrës tokësore. Nëse bashkimi mbeti lëshimi më i madh i pranuar prej tyre, përtej ëndrrës mori trajtë Pavarësia dhe NATO në tokën e shqiptarëve, me një ndërthurje të habitshme. E vetmja datë, që ka mbajtur gjallë brezat njerëzorë është Shpallja e Pavarësisë, më 1912. Por, ai qe një gëzim i gjymtuar si trojet, i paplotë si populli i ndarë: shqiptarët e Shqipërisë e kishin shtetin vet, shqiptarët e Kosovës përkujtonin drojshëm nën pushtetin e huaj. Në Kosovë, më 1999, mbërriti NATO, m’u në pesëdhjetëvjetorin e krijimit, ndërsa Aleanca kurrë nuk kishte kryer një luftë, dhe të vetmen luftë që ndërmori, ishte ajo për të shpëtuar Kosovën nga terrorizmi shtetëror serb, spastrimi etnik shfarosës, ngi me urrejtje racore e fetare. Kjo ka dhjetë vjet e futur në histori, e prapë se prapë, vijon të përjetohet deri në cakun e mistershëm të vetëpyetjes: ndodhi, por si qe e mundur që ndodhi?! Ndërthurja u përkye me krijimin e një simetrie të dytë të pangjarë: Shqipëria ishte shtet i pavarur, por larg të qenit në NATO. Kosova larg të qenit e pavarur, por me NATO de facto. Dy popuj, fqinj e në luftë, shqiptarët dhe serbët, njëri i pushtuar e tjetri pushtues, u ndanë edhe nga vështrimi mbi të ardhmen: NATO për shqiptarët mbetet një çliruese historike, serbët duan të futen në Bashkimin Europian, por NATO-n e shohin si agresore. Mirëpo, paqja dhe stabiliteti në rajon nxitën zhvillime që tërhoqën vëmendjen e botës, edhe përmes deklaratës se Presidentit të SHBA, Xhorxh Bush, qysh në verën e vitit 2007, që nga Tirana, kur paralajmëroi: Kosova e pavarur, Shqipëria në NATO.
Kur NATO e feston 60 - vjetorin e saj, si mendohet që festimi i Shqipërisë në NATO ka folklorizëm tipik, entuziazëm të rrethinës dhe fushatë parazgjedhore?
Këto zëra bëjnë zjarrfikësin e gëzimit.