E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarësimi në NATO, qytetarët: Një ngjarje e shumëpritur

Gëzimi dhe entuziazmi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, përfshinë Tiranën sot kur Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, i dorëzoi Kreut të shtetit, Bamir Topi, dokumentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën Euroatlantike. Kryeqyteti i 28-të i NATO-s, i flakëruar kudo me flamuj kombëtarë dhe simbolet e organizatës së Aleancës më të rëndësishme botërore, i ka nisur festimet që në orët e para të ditës. Qytetarët duket se nuk e kanë kursyer entuziazmin e tyre për këtë ditë të madhe, për të pritur orën 18.00, ku Bashkia e Tiranës po përgatitet për koncertin festiv “Një vend, një popull, një ëndërr”. Banorë jo vetëm të Tiranës, kanë zgjedhur t’a festojnë ngjarjen historike të anëtarësimit të NATO deri në mesnatë në qëndrën e kryeqytetit. Në akset kryesore vërshojnë turma njerëzish dhe automobila të mbuluara me flamuj kuq e zi dhe të NATO-s, simbole domethënëse të një dite historike. “Ky është një tjetër moment kur vëmendja ndërkombëtare është rikthyer nga shqiptarët”, thotë Driti, 31 vjeç, pasi sipas tij, "Shqipëri tashmë është pjesë e një force mbrojtëse dhe nuk njihet më si vendi i bunkereve. Kjo ditë është një zhvillim që i hap Shqipërisë rrugën për anëtarësim më të shpejtë në Bashkimin Evropian, e rrit prestigjin e saj, kontribuon në qëndrueshmërinë e rajonit, por shërben edhe si nxitje për të vazhduar bashkëpunimin politik dhe reformat", u shpreh Nazifi, një ish-mësues nga Tirana. Ai tha se sot më shumë se kurrë, është momenti që shqiptarët duhet të përfitojnë nga kjo vëmendje ndërkombëtare, së pari, duke shprehur mirënjohje për këtë mbështetje të gjerë dhe pastaj, duke kryer detyrimet e tyre si qytetarë, anëtarë të aleancës më të madhe të lirisë në botë, siç është NATO. “Eshtë fundi i izolimit të Shqipërisë dhe fillimi i anëtarësimit të saj të plotë në komunitetin ndërkombëtar. Fakti që aleanca e pa të arsyeshme që të vlerësojë përparimin e Shqipërisë për plotësimin e kritereve të kësaj organizate (NATO-s), sigurisht që do të jetë një argument më shumë në favor të Shqipërisë për anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian", tha  Eltoni, i cili vlerëson se anëtarësimi në NATO do të thotë për Shqipërinë më shumë siguri. “Vendi ynë po përmbush deri në një kërkesat për të qenë një vend kandidat për në BE”, gjykon Arta, e cila mendon se vendi ynë po mbyll tranzicionin, duke iu drejtuar i sigurtë të ardhmes drejt BE-së.Në kremtimin e ngjarjes së shumëpritur, qytetarët do të asistojnë sot  në koncertin prej  pesë orësh të organizuar nga Bashkia e Tiranës “Një vend, një popull, një ëndërr” në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Festimet në Korçë

Festimet dhe entuziazmi qytetar për anëtarësimin e Shqipërisë në strukturën  Euro-Atlantike të NATOS kanë përfshirë edhe qytetin juglindor të Korçës. Një ceremoni e vecantë u organizua paraditen e sotme në sheshin para Prefekturës së Korcës, me pjesmarjen e qytetarëve, ushtarakëve të brigadës së Korcës, të rinjve të shkollave dhe drejtuesve të Prefekturës dhe Qarkut. Pas tingujve ceremonialë të Hymnit kombëtar dhe atij të NATOS, prefektja e Qarkut të Korçës, Elfrida Zefi përshëndeti duke u shprehur se, "sot Shqipëria numërohet si një prej 28 vendeve antare të NATO-s, organizata ndërshtetërore, që siguron sovranitetin e tyre. Kështu bëhemi një prej vendeve  pjesëmarrëse në vendimet që merren bashkarisht nga vendet antare në bazë të konsensusit”.

Duke u ndalur në rolin e NATO-s, Zefi shtoi se “NATO është duke thelluar dhe zgjeruar kooperimin e saj me vende  dhe organizata ndërkombëtare dhe duke zhvilluar një partneritet strategjik me BE”. Rritja e parametrave të sigurisë, nëpërmjet luftës kundër krimit të organizuar, trafikimit të të qënieve njerëzore, korrupsionit, promovimi i vlerave të sistemit të vërtetë demokratik, rritja dhe zhvillimi social-ekonomik, u theksuan nga Prefektja Zefi, si prova më e e mirë e ndikimit të sfidave ekonomike dhe sociale të Shqipërisë në sigurinë kombëtare, rajonale e globale. “Kanë qënë këto prezantimi i aftësisë së zhvillimit të një vendi, të gatshëm për t'i bërë ballë presioneve konkuruese që kërkon antarësimi në BE. Antarësimi i Shqipërisë në NATO  konfirmon në mënyrën më të mirë  përballjen me sfidat dhe garanton sigurinë e investimeve vendase e të huaja në Shqipërinë që po ndryshon” tha mes të tjerave, ajo. Prefektja Zefi përfundoi me bindjen se, "solidariteti, liria, siguria që ofron Shqipëria, si një prej 28 vendeve antare të NATO-s, janë dëshmi e  një vendi pro paqes. Ky antarësim shënon  realizimin e një shprese të re për shqiptarët”.Ceremonia festive e antarësimit të Shqipërisë në NATO u përcoll me një koncert të fëmijëve të qëndrës kulturore të qytetit. 

Masat e policisë

Policia e kryeqytetit ka marrë të gjitha masat për zhvillimin normal të aktiviteteve festive që do të zhvillohen ditën e dielë, 5 prill, me rastin e  anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë  në NATO. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës, bënë të ditur sot se duke filluar nga ora 12.00 deri në 14.00 të ditës së nesërme, 5 prill, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në segmentin rrugor Rinas- Qafë Kashar dhe Qafë Kashar- Rinas, për arsye të mbërritjes së delegacionit shqiptar, pjesëmarrës në Samitin e NATO-s, në Aeroportin "Nënë Tereza" të Rinasit. Gjithashtu, sipas burimeve të mësipërme, duke filluar nga ora 17.30 deri në 22.00 të mbrëmjes së ditës së nesërme, do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Skënderbej” dhe atë “Nënë Tereza”. Duke kërkuar mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve, burimet e Policisë së kryeqytetit sqarojnë se kalimi i automjeteve dhe kthimi në segmentin rrugor Tiranë – Durrës, do të kryhet nga rruga dytësore Vorë – Tiranë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›