Borxhi nga pensionet e sigurimet

Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2010, shpenzimet për fondet speciale, pjesa dërrmuese e të cilave përbëhet nga fondi i pensioneve dhe ai i sigurimeve shëndetësore parashikohen 110.2 miliardë lekë ose 60 për qind më shumë se tre vjet më parë.
Një raport i fundit i Bankës Botërore, i prezantuar pak ditë më parë në Tiranë nga kryeekonomisti për Europën dhe Azinë, Intermid Gill, theksonte se pikërisht rritja e pensioneve, së bashku me investimet publike, janë dy faktorët që kanë sjellë rritjen e defiçitit buxhetor dy vitet e fundit, e për rrjedhojë dhe atë të borxhit publik.
Të dhënat tregojnë se në tre vjet, defiçiti i fondeve speciale është përkeqësuar me mbi 20 miliardë lekë, kryesisht si pasojë e rritjes së pensioneve, por edhe shpenzimeve për sigurimet shëndetësore.
Qeveria edhe për këtë vit ka parashikuar një fond prej 2.7 miliardë lekësh për rritjen e pensioneve, e cila pritet të zyrtartizohet në 1 korrik. Edhe pse tashmë skema e sigurimeve shfaq një tendencë të qartë defiçitare si pasojë e rritjes së përvitshme të pensioneve dhe uljes së kontributeve për sigurimet shoqërore.
Në vitin 2010 qeveria u detyrua të ulë në mënyrë drastike investimet publike për të mbajtur nën kontroll financat e saj. Disa ekspertë të opozitës thonë se kjo është pasojë e politikave të qeverisë, e cila, sipas tyre, po i kanalizon paratë publike jo në investime që krijojnë punësim dhe rritje ekonomike, por në shpenzime për të financuar politikat e saj populiste.