E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhlinjtë në banka humbin shtëpitë, ndryshon ligji për kolateralin

Kolaterali i bankaveTashmë bankat private do ta kenë më të lehtë të mbledhin kreditë e këqija. Me hyrjen në fuqi këtë muaj të ndryshimeve në kodin civil, pritet të ulet niveli i kredive me probleme. Statistikat më të fundit tregojnë se niveli i kredive me probleme është 24 %, ndër të cilat 7 % janë konsideruar si kredi të pakthyeshme.

Ndryshimet

Lidhur me ndryshimet e reja në kodin civil dhe ekzekutimin e kolateralit nga bankat ka folur dje në media zv.ministrja e Drejtësisë Brikena Kasmi si dhe ekspertë të ekonomisë në vend. Kështu nëse kredimarrësi i cili nuk ka shlyer detyrimet ka humbur gjyqin me bankën dhe kjo e fundit i është drejtuar përmbarimit, që nga 1 shtatori, ai nuk ka asnjë shans të ankohet apo të zvarrisë procesin për të rimarrë pronën e lënë peng. “Ankimi ndaj veprimeve përmbarimore shpesh herë pezullonte ekzekutimin e vendimit. Ankimi për veprime përmbarimore nuk pezullon tashmë ekzekutimin e titujve, vazhdon procesi” tha Brikena Kasmi zv-Ministre e Drejtësisë. Po ashtu dhe masa e sigurisë së padisë, pra bllokimi i aseteve të borxhliut menjëherë pas kalimit të çështjes në gjykatë, nuk mund të kryhet nëse prona e lënë peng po konfiskohet nga përmbarimi në adresë të një kredidhënësi tjetër. “Në momentin që kreditori fitonte të drejtën që të ekzekutonte kolateralin për të mbledhur debit apo borxhet e këqija menjëherë vendosej masa e një padie tjetër duke sjellë pezullimin e veprimeve përmbarimore. Tashmë masa e veprimit apo e sigurimit të padisë nuk mund të kërkohet për vendimet apo rastet në të cilat çështja është në ekzekutim apo kanë filluar veprimet përmbarimore,” tha Brikena Kasmi zv/ministre e Drejtësisë.

Ankandi i pronave

Banka sipas ndryshimeve në ligj, që prej 1 shtatorit mund ta shes në ankand pronën e lënë peng, deri në 30% të vlerës së saj fillestare për të shlyer kredinë e papaguar nga qytetari. “Kreditori ka të mundur që brenda një periudhe 40-ditore të ekzekutoj vendimin e gjykatës dhe të shesë me ankand pronën e cila është lënë kolateral mbi bazën e një kredie të keqe ose mbi bazën e kredive të pashlyera. Ankandi në qoftë se nuk del i suksesshëm, në fazën e dytë prona mund të ulet deri në 30% të vlerës fillestare të saj,” tha më tej Brikena Kasmi zv/ministre e Drejtësisë. Të gjitha këto ndryshime në kodin civil pritet të favorizojnë bankat dhe të të ulin nivelin e kredive të këqija.

 

Kadare: Paketa civile është një siguri për bankat

Prona e lënë peng nga qytetarët për marrjen e një huaje në bankë, do të ekzekutohet menjëherë për të shlyer bankën, nëse kredia hyn tek huamarrjet e këqija. Këtë e parashikon paketa e re civile që ka hyrë në fuqi qysh më 1 shtator të këtij viti. Arjan Kadare, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, ndërsa ka folur në media mbi paketën e re, argumenton se këto ndryshime i krijojnë lehtësi bankave, lirojnë kapitalin dhe njëherësh ndikojnë në tregun e banesave. Përshpejton procesin e ekzekutimit të kolateralit, bankat kanë rreth 7.5 % të kredive, kredi të këqija që do të thotë, këto do të jenë subjekt i shpejtë i ndikimit të hyrjes në fuqi të paketës së re civile, e cila ka efekte të shpejta,” tha Arjan Kadare, anëtar i Këshillit Mbikqyrës së BSH-së. Paketa e re civile që ka hyrë në fuqi, është një siguri e shtuar për sistemin bankar, pasi do të ekzekutojë më shpejtë kreditë e këqija. Paketa do të ketë ndikim afatshkurtër dhe afatgatë në sistemin bankar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›