E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama hap zyrën e deputetit në Vlorë: Pres shqetësimet dhe sugjerimet e vlonjatëve

Rama përzgjedh tre personat që do të punojnë në zyrën e Vlorës

rama ne vloreAshtu siç kishte njoftuar ditë më parë kryeministri i zgjedhur, Edi Rama ka hapur në Vlorë zyrën e tij të deputetit. Ka qenë vetë Rama i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar për hapjen e zyrës së tij.

Njoftimi

Në postimin e tij, Rama shkruan se ndjehet i mbresuar nga tre fituesit e konkursit për administrimin e zyrës së tij në Vlorë. Sa u çel zyra e deputetit në Vlorë. Shumë i mbresuar nga tre të rinjtë fitues të konkursit për administrimin e zyrës Rilindje Vlora, shkruan Edi Rama në rrjetin social Facebook. Më tej, në një postim të dytë Rama shkruan se fituesit, dy vajza dhe një djalë u zgjodhën mes 252 aplikantësh. Sipas Ramës këta tre të rinj do të presin në zyrë bashkëqytetarët e tyre për problemet, shqetësimet apo sugjerimet që vlonjatët duan të ndajnë me Edi Ramën. U hap në Vlorë zyra e deputetit ku dy vajza dhe një djalë, qytetarë vlonjatë të mirëshkolluar dhe vullnetmirë, që u përzgjodhën me konkurs mes 252 aplikantësh, do të presin bashkëqytetarët e tyre për problemet, shqetësimet apo sugjerimet që vlonjatët duan të ndajnë me Edi Ramën, shkruan Rama.

Zyra

Gjatë fushatës elektorale, kryesocialisti premtoi hapjen e një zyre në qytetin ku ai mori edhe mandatin e deputetit. Për këtë fakt, Rama kërkoi edhe bërjen e një konkursi ku të gjithë të interesuarit mund të dërgonin CV-të e tyre për të qenë pjesë e kësaj zyre. Që pas publikimit të kësaj nisme të Ramës me dhjetra të rinj ju përgjigjën ftesës së tij por në fund pas një konkursi të gjatë vetëm tre prej tyre arritën që të shpalleshin fitues. Në përzgjedhjen e fituesve Rama kërkoi nga organizatorët një proces të drejtë mbi bazën e meritës ndërsa theksonte në një shkrim të tij sërish përmes rrjetit social që kush fuste miq për të fituar vendin e punës, humbiste pikë. Në komentet e bëra për zyrën e tij të deputetit të hapur në Vlorë, kryeministri i zgjedhur ka bërë të ditur se ajo do të shërbejë si një urë lidhëse mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre. Sipas Ramës, kjo zyrë nuk do tu mbivendoset zyrave të shtetit dhe nuk do të trajtojë çështje të kompetencës së shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›