Gjakmarrja, ndryshime në Kodin Penal, jo më ngujime për gra dhe fëmijë
Komiteti i Gjaqeve i kërkon qeverisë së re të ndryshojë Kodin mbi gjakmarrjen
Gratë dhe fëmijët shqiptarë të prekur nga fenomeni i gjakmarrjes nuk do të detyrohen të jetojnë të ngujuar. Misionarët e pajtimit të gjaqeve synojnë që deri në muajin dhjetor të këtij viti, (kohë që përkon me festat e Krishtlindjeve dhe fundvitit), të arrihen marrëveshje pajtimi mes familjeve në gjak, për të mos mbajtur të ngujuar edhe fëmijët dhe gratë. Lidhur më këtë çështje, është mbledhur dje kongresi i katërt i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar të Gjaqeve i cili ka dalë me dy vendime të rëndësishme: lirim të grave dhe fëmijëve të ngujuar si dhe ndryshime në Kodin Penal sa i përket dënimit maksimal nëse vret për gjakmarrje.
Lirimi nga ngujimi
Gjin Marku, kryetar i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar të Gjaqeve u shpreh dje para medieve se deri për Krishtlindje, do të bëhet i mundur lirimi i grave dhe fëmijëve të ngujuar, të cilët rrezikojnë të izolohen për tërë jetën, duke iu hequr të drejtën e arsimimit apo të të jetuarit si gjithë të tjerët. Janë mbi 600 gra dhe 590 fëmijë që jetojnë të ngujuar, të cilët me çdo kusht nuk duhet ti lejojmë deri në Krishtlindje të jetojnë në këtë mënyrë. Është një traditë e jona e cila nuk i cenon kurrë nuk i lëndon kurrë gratë dhe fëmijët për çfarëdolloj faji që mund të kenë bërë të afërmit e tyre, dhe këtë traditë ne duhet ta kthejmë detyrimisht në një kod moral të shoqërisë sepse ky ka qenë një kod moral që zbatohej edhe nga Kanuni, i cili sot është shkelur në mënyrë barbare gjatë këtyre viteve të tranzicionit,” tha dje Gjin Marku kryetar i Pajtimit Mbarëkombëtar të Gjaqeve. Po sipas Markut në të gjithë vendin numërohen 1208 familje në hasmëri dhe gjakmarrje ndërsa grupet e punës së pajtimit janë të angazhuara në 2800 fshatra, 300 komuna e 60 bashki.
Kodin Penal
Një tjetër vendim i marrë në kongresin e djeshëm të Komitetit të Pajtimit të Gjaqeve, është edhe kërkesa drejtuar forumeve mbarëkombëtare për një ekspertizë dhe asistencë ligjore, e cila të punojë për një sërë propozimesh mbi ndryshime të Kodit Penal. Kjo pasi Kodi Penal parashikon dënim maksimal vetëm për ata persona që vrasin për hakmarrje, ndërsa për personin që e ka nisur këtë zinxhir hasmërish (duke vrarë i pari), dënimi nuk është maksimal. Kjo sipas Markut i ka demoralizuar shumë familje, të cilat nuk e quajnë të drejtë këtë lloj dënimi, duke kërkuar të hiqet dënimi maksimal për ata që vrasin në emër të gjakmarrjes. Edhe pse kodi penal është i ndryshuar dhe paketa ligjore ka hyrë në fuqi, ne kërkojmë nga qeveria e re që do vijë në pushtet që të bëjë ndryshimet e duhura në ligj mbi dënimin maksimal. Kjo sepse shumë familje janë të demoralizuara nga mënyra e dënimit; pasi nëse dikush që shkrep armën dhe kryen vepër penale dënohet me 25 vjet burg dhe më pas bëhen tolerime ku dënimi përfundimtar shkon jo më shumë se 12 vjet përfshirë edhe amnistitë për sjellje të mirë, e kundërta ndodh në rastin tjetër kur ai që vret për të marrë gjak duhet të dënohet përjetësisht, argumenton Marku.
Pajtimet
Sipas Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar të Gjaqeve, ekspeditat në të gjitha rrethet kanë siguruar rezultat pozitiv, pasi deri më tani nga 910 fëmijë të cilët nuk mund të ndiqnin shkollën numri është ulur në 590 fëmijë, dhe nga 1670 familje të ngujuara një vit më parë, numri sivjet është ulur në 1208. Në Kongresin e Komitetit të Pajtimit të Gjaqeve merrnin pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve fetare, të cilët iu bashkuan aksionit për zbutjen e plagës së madhe sociale të gjakmarrjes dhe ngujimit të njerëzve të pafajshëm.