E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosch: Qeveria të mbajë premtimin për zgjedhjet

Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, ka deklaruar nga Korça se pritshmëria për këto zgjedhje parlamentare është që ato të jenë sa më të drejta dhe transparente. Kreu i OSBE-së ka thënë se qeveria duhet ta mbajë premtimin për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme, pasi kjo është edhe pritshmëria nga ana e Komunitetit Evropian. "Pres nga këto zgjedhje që ato të mbahen në mënyrë të drejtë dhe të ndershme, të jenë sa më transparente, gjë e cila ka qenë një premtim i qeverisë, por që duhet mbajtur, pasi edhe Komuniteti Evropian nuk pret gjë tjetër, përveçse kësaj", ka thënë Bosch. Sipas kreut të OSBE-së duhet që ky proces zgjedhor të jetë i rregullt dhe për këtë duhet që edhe qytetarët të bashkëpunojnë, duke aplikuar sa më parë për pajisjen me kartat e identitetit. Ai ka bërë një apel nga Korça për të gjithë shtetasit që nuk disponojnë asnjë dokument identifikimi që të pajisen sa më parë, pasi sipas tij koha nuk premton shumë.

"Ky proces është shumë i rëndësishëm. Dua të theksoj dhe përsëris se ata persona që nuk kanë pasaportë, janë të lutur të aplikojnë për kartat e identitetit, jo vetëm për procesin zgjedhor, por edhe për faktin se çdo qytetar duhet të ketë një dokument identifikimi. Kjo për arsyen se këta shtetas nuk do të kenë mundësinë e shërbimeve publike. Tani për zgjedhje është shumë e rëndësishme që shtetasit që nuk kanë një pasaportë të shkojnë të aplikojnë, për më tepër që së fundmi ka edhe një vendim qeverie për uljen e tarifave dhe favorizimin e këtyre personave. Apeli im është që të gjithë shtetasit të nxitojnë të aplikojnë, pasi koha po kalon dhe këta shtetas duhet të kenë një kartë në dorë", ka nënvizuar diplomati. Për herë të parë, ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, ka bërë të ditur se këto zgjedhje do të monitorohen nga një numër i lartë vëzhguesish ndërkombëtarë. "Për sa më takon mua, nuk di me saktësi se sa do të jetë numri total i këtyre vëzhguesve, por mund të them se vetëm nga OSBE-ja do të ketë 400 vëzhgues të përkohshëm dhe më tej 26 vëzhgues ndërkombëtare për një periudhë më të gjatë. Do të ketë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës dhe të Asamblesë parlamentare të NATO-s, çka tregon se në total mund të ketë një numër prej të paktën 500 vëzhguesish të huaj që do të monitorojnë gjithë procesin zgjedhor", u shpreh Bosch. Ai ka qenë në Korçë për firmosjen e një marrëveshjeje me bashkinë për mbështetjen e shoqërisë civile.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›