E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Lumo Skëndo" për "Sonetet" e Çabejt

Janë shkruar rreth viteve ‘49 - ‘50 dhe dy prej tyre në vitin 1971, ndërsa Brikena Çabej i ka zbuluar rreth viteve ‘80. Pas kësaj i ka botuar në një vëllim të denjë dhe të admirueshëm. Janë "Sonetet" e Eqrem Çabejt, botim i shtëpisë botuese "Çabej", libri që u vlerësua dje paradite me çmimin kombëtar të bibliofilisë "Lumo Skëndo 2008". I vlerësuar për cilësi të veçanta estetike dhe vlera të spikatura në transmetimin dinjitoz të trashëgimisë sonë kulturore, ky botim u dallua për kulturë të lartë botuese, për punë të kujdesshme redaktoriale, për respektim të normave drejtshkrimore, si edhe minimum gabimesh shtypi. Gjatë këtij vlerësimi, komisioni i përbërë prej Aurel Plasarit, Fahri Balliut, Uran Butkës, Gjovalin Çunit dhe Emir Nikës, mbajti parasysh edhe vlerat intelektuale të botimit. "I kam kushtuar këtij botimi kaq shumë kohë, vëmendje dhe dashuri", thotë Brikena, vajza e Eqrem Çabejt e cila ndien një kënaqësi të madhe që ky botim i rrallë u vlerësua, duke pasur parasysh edhe përpjekjet e mëdha në realizimin e tij. "Jo vetëm këtu, por edhe në botë, këto lloj botimesh janë të rralla. Është i punuar me beze, me letrën që quhet mermer, me ujëra, është një punim i realizuar në mënyrë artizanale", ka shpjeguar ajo, duke shtuar se letra e këtij libri është e punuar me dorë, si ato që bëheshin dikur në mesjetë, lidhja është gjithashtu speciale. Gjatë aktivitetit të djeshëm, organizuar në ambientet e Bibliotekës Kombëtare prej Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Çabej, theksoi se libri i vlerësuar me çmimin kombëtar "Lumo Skëndo" përmban sonete që Eqrem Çabej i ka shkruar para 60 vitesh për bashkëshorten e tij. "Ato flinin në sirtarët e errët të shtëpisë, sepse nuk duhet të dilnin deri sa prindërit të ishin gjallë. Kjo ishte porosia e tyre dhe unë nuk mund t‘i nxirrja. Kur erdhi momenti, natyrisht që do t‘i bëja shërbimin maksimal, për nder të tyre. Nuk ishte një amanet, por unë e ndjeja të tillë", tregon më tej ajo, ndërsa shton, se janë sonete klasike dhe soneti është një gjini që nuk lëvrohet më. Ai të bën të mendosh për Shekspirin, Petrarkën, shkrimtarë të kohërave të shkuara, klasikë. E duke folur për shkrimtarë e botime klasike, Brikena Çabej komunikon se është në bisedime me Bujar Hudhrin e shtëpisë botuese "Onufri" për të realizuar një ribotim të "Mesharit" të Gjon Buzukut, të botuar në vitet ‘60 prej Eqrem Çabejt, botim që nuk qarkulloi, sepse doli në kohën e revolucionit kulturor në vitin 1968 dhe shumë pak njerëz e kanë parë. Për këtë arsye, ajo pret që këtë vepër të përgatitur prej profesor Çabejt ta ribotojë me të njëjtën cilësi, letër e lidhje si ajo e përdorur për "Sonetet". Për çmimin kombëtar të bibliofilisë "Lumo Skëndo" konkurruan disa shtëpi të njohura botuese, ndër të cilat "Toena", "Onufri" etj. Gjatë ceremonisë, ministri i Kulturës, Ardjan Turku, vlerësoi traditën e krijuar në dhënien e këtij çmimi. Sipas tij, ky çmim synon të nxisë dhe të përcaktojë standardet në fushën e editorisë, duke vlerësuar botimet e realizuara me parametra cilësorë teknikë e estetikë të tyre, për t‘iu dedikuar veçanërisht përkrahjes së prirjeve moderne, emancipuese dhe estetike të botuesve shqiptarë. Çmimi "Lumo Skëndo" është krijuar në vitin 2005. Ai vlerëson figurën e Mit‘hat Frashërit (Lumo Skëndos), si intelektual i shquar, botues, librar, koleksionist dhe posaçërisht themelues i bibliofilisë në Shqipëri. Aktiviteti, siç edhe e theksoi ministri Turku, synon të kthehet në një traditë, si një vlerë në promovimin e risive të arritura në lëmin e botimeve, ashtu edhe në përkujdesjen ndaj kujtesës kombëtare.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›