"Integrimi, Spanja mbështet Shqipërinë"
Spanja i ofron mbështetje Shqipërisë në rrugën e Integrimit Evropian. Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, takuan dje ministrin e Jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratino, të cilit i dorëzuan një raport mbi rezultatet e programit "Një OKB". Në ceremoninë e dorëzimit, së bashku me Kryeministrin Berisha, merrnin pjesë Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara, Gülden Türköz-Cosslett, ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobbio, si dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë. "Mendoj se kemi një fillim të mbarë, i cili do të ishte i pamundur pa mbështetjen e qeverisë spanjolle dhe pa përkushtimin e madh të koordinatores së PNUD-it dhe të iniciativës së "Një OKB" në Shqipëri, zonjës Cosslett, ambasadorit tuaj në Shqipëri dhe stafit të OKB-së këtu", tha Berisha. Ministri Moratinos theksoi se Shqipëria dhe Spanja janë angazhuar gjithmonë në reformën e Kombeve të Bashkuara.