Bosh: “Mungesa e opozitës ka penguar një sërë reformash”
Eljona Ballhysa
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, është shprehur se mungesa e opozitës në Parlament ka penguar ndërmarrjen e një sërë reformash të rëndësishme për vendin. Gjatë fjalës së mbajtur dje në seancën plenare të Konsorciumit Ndërkombëtar, ambasadori Bosh vuri në dukje se shumë ligje kanë mbetur pa u miratuar për shkak se kërkojnë shumicë të cilësuar, ndërsa pjesa tjetër nuk janë cilësore pasi nuk i janë nënshtruar një debati me pjesëmarrjen e opozitës. Bosh i bëri thirrje opozitës që të reflektojë në qëndrimet e saj. Më tej ambasadori kërkoi transparencë në emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Ai kërkoi vazhdimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, ndërsa vlerësoi punën e Policisë.
Opozita
“Gjatë vitit të kaluar, shumë prej reformave të nevojshme në këtë sektor kanë ngecur. Mungesa e opozitës në Parlament pas zgjedhjeve të përgjithshme ka shkaktuar vonesa në miratimin e ligjeve për të cilat kërkohet një shumicë votash prej tre të pestave. Pjesa më e madhe e legjislacionit penal kërkon një shumicë të tillë votash, ashtu si dhe ligji i shumëpritur i Gjykatës Administrative. Mungesa e opozitës do të thotë gjithashtu që shumica e ligjeve po miratohet pa pasur nivelin e pritshëm të diskutimeve. Po shfrytëzoj rastin për t’i kërkuar opozitës që të reflektojë gjatë dhe thellë për veprimet e veta, të cilat tashmë, de facto, po dëmtojnë procesin drejt një sistemi demokratik modern.
Duhet bërë e mundur që ata të ndiejnë se pjesëmarrja e tyre aktive dhe e vazhdueshme në Kuvendin e Shqipërisë është e mirëpritur si me fjalë, ashtu dhe me vepra”, - është shprehur Bosh. Ai kërkoi që qeveria, përpara se të miratojë ligje të rëndësishme, t’i diskutojë ato me grupet e interesit. “Do të doja që, po në këtë kuadër, t’i kërkoja qeverisë të bëjë përpjekje të mëtejshme për të siguruar që të gjitha ligjet të diskutohen nga të gjitha grupet e interesit para se të miratohen në Parlament”, - është shprehur Bosh, ndërsa ka vlerësuar miratimin e ligjit kundër diskriminimit. “Megjithatë, është parë progres në lidhje me disa nga politikat. Duhet të pranojmë dhe përgëzojmë faktin që Shqipëria ka miratuar tashmë ligjin historik dhe domethënës kundër diskriminimit. Ky ligj mbron një rreth të gjerë qytetarësh nga praktikat diskriminuese. Edhe pse media e ka përqendruar vëmendjen kryesisht te mbrojtja e komunitetit të LGBT, i cili është një zhvillim pozitiv, nuk duhet të harrojmë që ky ligj ka shtrirje shumë më të gjerë”, - është shprehur Bosh.
Kushtetuesja
Përsa i përket sistemit të Gjyqësorit, ambasadori Bosh është shprehur se integriteti i këtij sistemi mbetet ende një sfidë për Shqipërinë. Ai kërkoi që zëvendësimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të bëhet me transparencë të plotë. “Përsa i takon sistemit të gjykatave, integriteti i procesit gjyqësor vazhdon të mbetet një sfidë. Kohët e fundit ka pasur shumë debate në lidhje me postet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe që do të rezultojë në zëvendësimin e dy të tretave të Gjykatës. Do t’u kujtoja të gjithëve rëndësinë e kujdesit që duhet treguar në përzgjedhjen e anëtarëve të rinj në këtë organ. Procesi duhet të jetë transparent. Gjyqtarët duhet të përzgjidhen bazuar në njohuritë ligjore që ata kanë, në aftësitë e tyre për arsyetim ligjor dhe, mbi të gjitha, për integritetin e tyre. Të njëjtat kritere duhet të përdoren në marrjen e të gjitha vendimeve për ngritjen në detyrë të personave në sistemin gjyqësor – gjithashtu edhe përsa i takon Gjykatës së Lartë dhe gjykatave të apelit, në mënyrë që të ketë përmirësim të dukshëm në cilësinë e drejtësisë që ofrohet. Zonja dhe zotërinj, Prezenca në Shqipëri mbetet e gatshme që të ofrojë ndihmesë të mëtejshme për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit dhe sektorit ligjor në Shqipëri”, - është shprehur Bosh.
Policia
Gjatë fjalës së mbajtur dje Bosh ka vlerësuar punën e Policisë, ndërsa ka kërkuar vazhdimin e luftës me tolerancë zero kundër krimit dhe korrupsionit. “Përsa i përket Policisë së Shtetit, një nga arritjet më mbresëlënëse ka qenë puna e saj gjatë periudhës së zgjedhjeve parlamentare. Policia, pa dyshim, e ka kryer punën e saj në mënyrë shumë profesionale e të paanshme dhe për këtë është lëvduar në disa raporte të ndërkombëtarëve për zgjedhjet. Kjo është shenjë e qartë se reforma në Polici po ecën në drejtimin e duhur. Me strukturën aktuale është krijuar tashmë, pa dyshim, baza për një shërbim policor bashkëkohor, i gatshëm për sfidat e shekullit të njëzetenjëtë. Krijimi dhe zbatimi i një mënyre më eficiente dhe më efektive policimi mbetet një sfidë e madhe për të ardhmen. Për arritjen e këtij objektivi nevojitet krijimi i një kuadri buxhetor më të qëndrueshëm. Gjithashtu, Policia duhet të ketë në dispozicion edhe mjetet e duhura për të kryer punën e saj. Pa këtë, ne nuk do mund të shohim një polici eficinte dhe profesionale, dhe nuk do të mund të shohim fitoren në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, - është shprehur Bosh.
Ambasadori Withers, vizitë dyditore në qytetin e Përmetit
Ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, John L. Withers, ka nisur dje një turn dyditor në qytetin e Përmetit. Gjatë qëndrimit në këtë qytet, ambasadori Withers pritet të takohet me anëtarët e Këshillin Bashkiak, ndërsa në mbrëmje do të jetë i pranishëm në Pallatin e Sportit për të parë ndeshjen e basketbollit për femra midis skuadrave të Përmetit dhe Lushnjës. Sot pritet që ambasadori i SHBA-ve, Withers, të udhëtojë drejt fshatit Frashër, rreth 50 km larg Përmetit, për të nderuar vëllezërit Frashëri.
16 Prill 2010