Xhon Terri: “Gati për të bërë histori!”
Xhon Terri tha se Çelsi është gati të bëjë histori pasi skuadra londineze iu afrua shumë titullit të “Barclays Premier League”. Çelsi është tashmë favorite e qartë për të pronësuar titullin, me gjithë rivalitetin në distancë nga Mançester Junaitid dhe Arsenal. Teri, i cili ishte në qendër të polemikave për shkak të një prekjeje me dorë në fitoren e fundit, pretendoi se Çelsitani është gati të “çajë” në ndjekjen e të parit “Double” në histori.
Klubi i Roman Abramovichit kryeson Premier League dhe do të përballet me Portsmuthin e rrezuar nga kategoria në finalen e Kupës së Anglisë muajin tjetër. Terr tha: “Ne kemi një shans të hyjmë në histori dhe ne jemi të përqendruar për ta arritur atë. Ne nuk e kemi fituar kampionatin në tre vitet e fundit. Ne kemi fituar dy herë Kupën e Anglisë gjatë kësaj kohe. Ne nuk kemi fituar kurrë ligën dhe kupën njëkohësisht për të bërë ‘Double’. Kur ne t’ia arrijmë asaj ne do të bëjmë histori”. Goli i Nikolas Anelka kundër Boltonit saldoi fitoren e Çelsit, por bosi i klubit kundërshtar, Ouen Kojl, pretendoi se formacionit të tij iu mohuan dy penallti pasi Terri dhe Didier Drogba e prekën topin me dorë.
Ançeloti: “Titulli në duart tona”
Trajneri i Çelsit, Karlo Ançeloti, tha se tani titulli kampion është në dorë të klubit londinez, që nuk e fiton atë qysh nga viti 2006. “Tani Premier League është në duart tona dhe ne duhet të qëndrojmë të fokusuar dhe të qetë. Ne duhet të luajmë ndeshje pas ndeshje dhe ne nuk jemi të interesuar për rezultatet e ekipeve të tjera”.
Riberi: "Vendimi, pas dhjetë ditësh"
Mesfushori francez: “Shanset për të qëndruar te Bajerni janë 50:50”
Frenk Riberi pohoi se shanset e tij për të qëndruar te Bajerni i Munihut janë 50:50. Francezi, i cili u transferua në vitin 2007 nga Olimpiku i Marsejës te rekordmenët gjermanë, deklaroi se vendimi i tij përfundimtar do të merret pas vetëm dhjetë ditësh.
Gjatë një interviste për faqen gjermane Sport1.de, mesfushori i Kombëtares franceze deklaroi, se Bajerni kishte shanse të qarta të fitonte në tri kompeticione. “Në kampionat dhe në Kupën (e Gjermanisë) ne kemi shanse të mëdha, por edhe në Ligën e Kampioneve ne mund të shkojmë deri në finale të saj. Por, e rëndësishme është që të fitojmë kampionatin. Për klubin, për fansat dhe për ne si skuadër. Ne do të bëjmë gjithçka që ta marrim maksimumin nga ky sezon”. I pyetur në lidhje me fushatën e Bajernit në Ligën e Kampioneve, Riberi tha: “Gjatë këtij viti ne kemi pasur vështirësi të mëdha. Para së gjithash në ndeshjet e para të Ligës së Kampioneve. Pjesa e dytë ishte shumë më e mirë. Tani varet nga ne për të arritur objektivat e mëdha. Nuk ka dhe shumë ndeshje në këtë sezon. Dhe ne dëshirojmë t’i fitojmë të gjitha”. Riberi pranoi se deri tani për të nuk ka ndonjë ofertë konkrete nga klubet të tjera. “Klube të njohura si Real Madrid, Barcelona dhe gjithashtu Çelsi janë të interesuara për mua, dhe ato duan që unë të luaj për ata. Por, unë besoj, që gjatë ditëve të ardhshme do të vendos se çfarë do vendos për vitin e ardhshëm. Unë shpresoj se do ta bëj këtë gjatë javës së ardhshme ose në dhjetët ditët e ardhshme. Klubi ka besim te mua, edhe unë te ata. Gjithsesi, shanset për të qëndruar te Bajerni janë 50:50”.
Mesi: “Do të na kujtojnë dhe pas 50 vjetësh”
Sulmuesi i Barçës: “Fabregas ka Arsenalin në zemër, por Barcelonën në gjak”
Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Mesi, lojtari më i mirë në botë, tregoi për “Daily Mail”, disa nga karakteristikat e skuadrës katalanase, kampione në fuqi e Europës: “Barcelona? Është një skuadër e qeshur. Jemi të gjithë miq. Na pëlqen të luajmë për trajnerin tonë. Është një klub që mund të hysh në histori. Sezonin e kaluar bëmë diçka speciale, treguam se sa jemi të fortë dhe bëmë diçka të pabesueshme për të gjithë, lojtarët, shoqërinë dhe tifozët. Kur fiton, e vetmja gjë është të vazhdosh ta bësh, është ky shpirti i skuadrës sonë. Besoj se dhe pas 50 vjetësh do të flitet për skuadrën tonë”. Ylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Mesi i bëri një thirrje publike kapitenit të Arsenalit, Sesk Fabregas. “Sesk ka Arsenalin në zemër, por Barcelonën në gjak. Nuk e di saktësisht se kur do të vijë, por unë e pres akoma si shok skuadre. Sigurisht, që midis tij dhe Vengerit ekziston një raport baba-fëmijë dhe e di që Faberegas ka një lidhje speciale me tifozët e tij, por Barcelona është qyteti i tij dhe skuadra e tij. Pak lojtarë janë në gjendje ta përmirësojnë atë dhe një nga këta sigurisht është Sesk”.
15 Prill 2010