Qeveria dhe Kuvendi: "Nuk kemi patur kufi me Greqinë"

Mbrojtësit e marrëveshjes
Në sinkron të plotë, shumica parlamentare në Kuvend, Qeveria e z.Berisha dhe ministritë e angazhuara në bisedime, si ajo e Mbrojtjes dhe e Jashtme, në arsyetimet e tyre kanë të përbashkët paragrafin se: "Nuk ka prova që të vërtetojnë se kufiri detar midis Shqipërisë dhe Greqisë ka ekzistuar".
Kuvendi i Shqipërisë shprehej se mungesa e hartave shoqëruese të marrëveshjes është një çështje teknike që nuk mund ta bëjë marrëveshjen antikushtetuese, pasi koordinatat janë të mjaftueshme për të përcaktuar kufirin.
Qeveria shprehej se Shqipëria dhe Greqia nuk i kanë përcaktuar asnjëherë më parë kufijtë detarë ndërmjet tyre dhe për këtë arsye faktet historike të paraqitura nga PS-ja dhe partitë e tjera nuk janë të sakta, se negociimi i marrëveshjes është shtrirë në një hark kohor prej 3 vitesh dhe se nga ana e qeverisë u bënë të gjitha përpjekjet që bisedimet të bëhen të njohura për publikun që prej momentit që ka pasur interesim për këtë çështje.
Ministria e Punëve të Jashtme e justifikoi mungesën e hartave analoge, duke u shprehur se marrëveshja shoqërohet nga 150 koordinata, bashkimi i të cilave formon vijën ndarëse të kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Ndërsa Ministria e Mbrojtjes u shpreh se nuk qëndron pretendimi se Shqipëria ka humbur territor, pasi vija ndarëse është e barazlarguar nga vijat bazë të vendeve respektive dhe se mungesa e hartave analoge shpjegohet me faktin se sot përdoren më së shumti hartat dixhitale në përputhje me Sistemin Gjeodezik Botëror ËGS84, sipas të cilit koordinatat pasqyrohen në rrugë elektronike dhe të saktë.
Zona që donin grekët, rezerva të shumta nafte dhe gazi
Sipas një lajmi të dhënë dje nga një televizion në Tiranë, që iu referohet gazetarëve të saj në Athinë, insistimi i palës greke për firmosjen e marrëveshjes nuk ka të bëjë me dëshirën për mbylljen e çështjes, por me faktin se marrëveshja u jep grekëve një zonë shumë të rendësishme naftëmbajtëse. Sipas burimeve pranë Ministrisë greke të Jashtme pala greke ishte në dijeni të faktit që zona e Jonit verior, është ndër më të pasurat me naftë dhe gaz.
Rezervat e saj të naftës i kalojnë 4 miliardë fuçi dhe i japin përfitime të medha ekonomike fqinjëve tanë. Por një ndarje e barabartë e ujërave, do t'i jepte Shqipërisë të drejtën e shfrytëzimit të zonës së pasur.
Gjykata Kushtetuese publikon vendimin për rrëzimin e Marrëveshjes Detare që Shqipëria firmosi me Greqinë, një vit më parë në Tiranë. Si u shkelën 4 nene të Kushtetutës
Pakti me Greqinë, 4 nenet antikushtetuese të qeverisë
Gjykata Kushtetuese bëri publik dje vendimin për rrëzimin e Marrëveshjes Detare që Shqipëria firmosi me Greqinë, plot një vit më parë në Tiranë.
Në vendimin numër 15, përmes 46 faqeve me shpjegime Gjykata Kushtetuese e konsideroi të papajtueshme Marreveshjen me Kushtetutën në katër pika, siç janë mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes, mangësitë serioze në përmbajtje, moszbatimi i parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm dhe mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese si rrallë herë ishte unanim, me votën pro të nëntë anëtarëve të saj, të cilët ishin të një mendjeje se marrëveshja shkelte nenet, 3, 4, 7 dhe 92 të Kushtetutës.
Vendimi
Republika e Shqipërisë dhe Republika e Greqisë, nëpërmjet Ministrave respektivë të Punëve të Jashtme, më datë 27.04.2009, kanë nënshkruar Marrëveshjen "Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare". Marrëveshja e lidhur i është dërguar Kuvendit për ratifikim, në përputhje me nenin 121 të Kushtetutës.
Gjykatës Kushtetuese iu paraqit një kërkesë nga disa parti politike: Partia Socialiste e Shqipërisë, Partia Social-Demokrate, Partia Demokracia Sociale, Partia Demokristiane, Partia "Ligj dhe Drejtësi" dhe Partia G 99, me objekt: "Shqyrtimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë i marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë "Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare".
Kërkuesi, Partia Socialiste e Shqipërisë, pretendon se marrëveshja objekt kundërshtimi nuk është në pajtim me nenet 3, 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës, pasi:
Mungon plotfuqia nga ana e Presidentit të Republikës për negociimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes objekt shqyrtimi; Grupi negociator i palës shqiptare është ngritur me Urdhrin e Kryeministrit;
Titulli dhe përmbajtja e marrëveshjes janë të pazakonta; Nuk duhej të ishte zbatuar parimi i barazlargësisë strikte për përcaktimin e kufirit detar, i cili ka sjellë pasoja të disfavorshme për shtetin shqiptar duke humbur padrejtësisht sipërfaqe të konsiderueshme hapësirash detare, për shkak se dy brigjet kanë kushte gjeografike të ndryshme;
Nuk është përcaktuar paraprakisht vija bazë nga shteti shqiptar, e cila ka rëndësi në përcaktimin e shelfit kontinental dhe zonave të tjera; Delegacioni shqiptar nuk ka treguar kujdesin e duhur për përcaktimin e statusit dhe shtrirjes së gjirit të Sarandës dhe nuk ka bërë përpjekje që të njëjtin status të fitonte edhe gjiri i Sarandës, ndërkohë që ka pranuar kërkesën e palës greke që gjiri i Korfuzit të trajtohet si gji me statusin e ujërave të brendshme duke çuar në zvogëlimin e hapësirës dhe për pasojë edhe afrimin e pajustifikuar të vijës së kufirit detar në drejtim të bregut të Sarandës, pra në disfavor të interesave kombëtare;
Shkëmbi Barketa nuk duhet të shërbente si pikë skajore bazë prej të cilës ka filluar matja e vijës së barazlarguar nga pikat më të afërta të bregdetit shqiptar, por si vijë ndarëse e kufirit detar greko-shqiptar, sepse nuk është shkëmb por cekinë shkëmbore; Nuk ishte i nevojshëm përcaktimi i kufirit të hapësirave detare midis Shqipërisë dhe
Greqisë, pasi ky kufi ka qenë i përcaktuar më parë; Marrëveshja e nënshkruar nuk është shoqëruar me hartat përkatëse por vetëm me koordinatat e kufirit ndarës; Negociimi dhe hartimi i marrëveshjes është kryer në fshehtësi dhe në mungesë të transparencës.
Gjykata Kushtetuese vlerëson se pretendimi i kërkuesit për mungesën e plotfuqisë së lëshuar nga Presidenti i Republikës për grupin negociator shqiptar gjatë bisedimeve dhe lidhjes së marrëveshjes për delimitimin e zonave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë është i bazuar dhe duhet pranuar.
Përgjithësisht pranohet se kryetari i shtetit përfaqëson shtetin si të tërë, pra unitetin e tij, duke përçuar këtë ide edhe jashtë vendit. Ky qendrim mbahet edhe nga Kushtetuta, e cila në nenin 92/ë parashikon kompetencën e Presidentit të Republikës për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, sipas ligjit.
Duke iu referuar kësaj dispozite dhe kuptimit të nenit 86/1 të Kushtetutës, rezulton se Presidenti i Republikës ka kompetencë të përfaqësojë shtetin në marrëdhëniet me jashtë.
Gjykata thekson se e drejta e Presidentit të Republikës për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare është një funksion kushtetues dhe këtë ai e ushtron ose vetë, ose duke i dhënë plotfuqi qeverisë me qëllim përfaqësimin e shtetit sipas të drejtës ndërkombëtare.
Duke iu referuar fakteve të bëra të njohura nga përfaqësuesi i subjektit të interesuar, Ministria e Punëve të Jashtme, rezulton të jetë bërë praktikë e vazhdueshme që edhe në raste të tjera të zhvillimit të bisedimeve dhe nënshkrimit të marrëveshjeve me palë shtetin shqiptar, delegacioni shqiptar të mos ketë qenë i pajisur me plotfuqi nga ana e Presidentit të Republikës.
Presidenti i Republikës është përfaqësuesi më i lartë i shtetit shqiptar në marrëdhëniet me jashtë, në kuptim të nenit 86/1 të Kushtetutës dhe ka autoritetin për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare si përfaqësues legjitim i shtetit, sipas nenit 92/ë të Kushtetutës. Nga kjo rezulton se, ose ai vetë duhet të kishte marrë pjesë në lidhjen e marrëveshjes ose, nëpërmjet plotfuqisë, duhej të kishte autorizuar grupin negociator për këtë qëllim.
Gjykata vlerëson se mosmarrja e plotfuqisë nga Presidenti i Republikës për lidhjen e marrëveshjes ose dhënien e plotfuqisë, sipas ligjit, bie ndesh edhe me nenin 7 të Kushtetutës, i cili garanton parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Ky parim shtrihet jo vetëm ndaj tri degëve të pushtetit, ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, por edhe ndaj organeve të tjera kushtetuese të pavarura, kompetencat e të cilave janë të parashikuara nga dispozitat e Kushtetutës.
Sipas këtij parimi, asnjë organ, në përbërje ose jo të një prej tre pushteteve, nuk mund të ndërhyjë në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve që, sipas rastit, do të përbënin objektin qendror të veprimtarisë së organeve apo institucioneve të tjera kushtetuese.
Gjykata konstaton se në marrëveshjen objekt gjykimi ka disa shkelje kushtetuese. Përpara zhvillimit të bisedimeve duhej të ishin përcaktuar qartë hapësirat detare që duhej të delimitoheshin si dhe brigjet detare respektive mbi bazën e të cilave do të bëhej ky delimitim.
Marrëveshja objekt shqyrtimi mban titullin "Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të Shelfit Kontinental dhe të zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare".
Në fakt, siç rezulton edhe nga hartat respektive të paraqitura, në rastin konkret, të paktën përsa i përket Republikës së Shqipërisë, rreth 90% e hapësirave detare të ndara me Republikën e Greqisë janë Ujra të Brendshme dhe Det Territorial. Konkretisht, nga 150 rrathet që shërbejnë për delimitimin e kufirit detar nga pjesa fundore e Kanalit të Korfuzit deri në veri të tij, 140 prej tyre kanë rreze më të vogël se 12 milje detare.
Pra, marrëveshja në fjalë nuk ndan Shelf Kontinental në kuptimin juridik, ashtu siç thuhet në titull, por kryesisht Ujërat e Brendshme dhe Detin Territorial. Veçanërisht në zonën e Kanalit të Korfuzit, pala shqiptare duhet të kishte qartësuar paraprakisht natyrën dhe efektet e akteve ndërkombëtare mbi delimitimin e kufijve shtetërore të Republikës së Shqipërisë, si dhe praktikën e ndjekur në këtë drejtim.
Kufijtë shtetërorë, përfshi natyrshëm edhe kufirin e Detit Territorial ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, kanë ekzistuar (në Protokollin e Firences dt.27.01.1925 për Delimitimin e Kufirit Jugor të Republikës së Shqipërisë theksohet, ndër të tjera, se "...kufiri tokësor pret Detin Jon në Gjirin e Ftelias sipas një vije pingule me drejtimin e përgjithshëm të bregut, deri në kufirin e ujërave territoriale...").
Prandaj, duhet të ishin verifikuar vetëm rastet e mbivendosjeve të pretenduara ose nevoja e saktësimit të këtij kufiri shtetëror (vijës së jashtme të Detit Territorial), në përputhje me dispozitat e Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit.
Duhej të merreshin parasysh karakteristikat e bregdetit shqiptar dhe, në këtë kuadër, duhej të ishte përcaktuar gjithashtu edhe hapësia (sipërfaqja) e Ujërave të Brendshme detare që përfiton secila palë për shkak të heqjes së vijave bazë. Duket qartë që sipas marrëveshjes objekt shqyrtimi, në rastin konkret, ka një disproporcion të theksuar në disfavor të palës shqiptare.
Gjykata konstaton se zbatimi vetëm i parimit të barazlargësisë strikte në marrëveshjen objekt gjykimi është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare si dhe me detyrimet që burojnë nga neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Konkretisht, në nenin 1 të marrëveshjes theksohet ndër të tjera se kufiri detar ndërmjet dy vendeve do të caktohet në përputhje me parimin e barazlargësisë, që shprehet nga vija e mesme, çdo pikë e së cilës është e barazlarguar nga pikat më të afërta të vijës bazë (si kontinentale ashtu edhe ishullore) nga e cila matet gjerësia e ujrave territoriale detare.
Gjykata çmon se procesi i delimitimit duhet të kishte kaluar përmes disa fazave, duhej të ishte vlerësuar veçmas jo vetëm ndikimi i ishujve të banuar Lazareto, Erikuza dhe Othonoi, por edhe i vetë ishullit kryesor të Korfuzit. Marrëveshja u jep (padrejtësisht) që të gjithëve efekt të plotë në caktimin e vijës kufitare, duke i barazuar plotësisht me dheun kontinental të vendit tonë.
Pavarësisht se nuk është pretenduar nga kërkuesi, Gjykata vëren gjithashtu se neni 2 i marrëveshjes objekt shqyrtimi shfaq probleme kushtetuese. Ky nen parashikon se: "Në zbatim të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit, Republika e Greqisë në anën e kufirit detar që ndodhet pranë Republikës së Shqipërisë dhe Republika e Shqipërisë në anën e kufirit detar që ndodhet pranë Republikës së Greqisë, nuk do të kërkojnë apo ushtrojnë për asnjë qëllim sovranitet, të drejta sovrane ose juridiksion mbi ujin, shtratin e detit ose nëntokën".
Ky rregullim jo vetëm që nuk konstatohet në ndonjë prej dispozitave të Konventës në fjalë apo nga fryma e përgjithshme e saj, por nuk ndeshet as në praktikën normale të shteteve apo jurisprudencën ndërkombëtare mbi çështje të së drejtës detare. Vetëkuptohet që shtetet nuk kanë të drejtë të ushtrojnë sovranitet, të drejta sovrane apo juridiksion në hapësirat detare që u përkasin shteteve të tjera.
Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, aq më pak kur bëhet fjalë për Detin Territorial, në të cilin padyshim që shteti bregdetar ka sovranitet të plotë jo vetëm mbi ujrat, por edhe në hapësirën ajrore mbi to si dhe në shtratin e detit dhe nëntokën e tij, pasi të gjitha së bashku, në këtë rast, konsiderohen si pjesë integrale e territorit të shtetit bregdetar. Në rastin konkret praktikisht kemi të bëjmë kryesisht me caktimin e vijës së kufirit ndërmjet Detit Territorial të të dy vendeve.
Për sa më sipër, jo vetëm që kuptimi dhe qëllimi i kësaj dispozite është i paqartë, por, ashtu siç është formuluar, mund të krijojë probleme e paqartësi në praktikën e të dy shteteve.
Për sa më sipër, Gjykata çmon përfundimisht se marrëveshja e lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë "Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare", është e papajtueshme me Kushtetutën sa i takon çështjeve lidhur me:
a) mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes; b) mangësitë serioze në përmbajtjen e marrëveshjes;
c) moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm;
ç) mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.
PËR KËTO ARSYE:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131 shkronja "b", 134 shkronja "f" të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; neneve 49/2 e 51 të ligjit nr.8577, dt.10.02.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë", njëzëri,
V E N D O S I:
Deklarimin si të papajtueshme me nenet 3, 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës të marrëveshjes së lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë "Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare".