E Hënë, 2 Nëntor 2026

Boshatiset tregu i gjësë së gjallë në Kukës – Ndalohet lëvizja e të imtave me urdhër ministrie

Në Kukës po zbatohet me rigorozitet vendimi i Ministrisë së Bujqësisë për ndalimin e lëvizjes së të imtave nga ferma në fermë apo drejt tregut.

Dy tre krerë lopë e viça dhe shumë pak njerëz ishte pamja e tregut të gjësë së gjallë në Kukës.

Nuk ka asnjë kokë të imta apo dhi. Pas shfaqjes së sëmundjes së Murtajës në disa zona të vendit dhe ato të rajonit, Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit përmes një urdhëri ka ndaluar përkohësisht lëvizjen e të imtave dhe dhive nga ferma drejt tregjeve por edhe nga ferma në fermë.

Në treg të pranishëm janë edhe inspektorët e Shërbimit Veterinar, të cilët monitorojnë dhe ndjekin zbatimin e urdhrave bashkë me inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Fatmirësisht, në qarkun Kukësit ende nuk është regjistruar asnjë vatër e tillë me sëmundjen e murtajës por sipas specialisteve rreziku ekziston duke qenë se ka vatra aktive në disa zona, përfshirë edhe qarkun kufitar të Shkodrës apo edhe Maqedoninë e Veriut, me një pjesë të së cilës kufizohet edhe qarku i Kukësit, ndaj këto masa synojnë frenimin e përhapjes.

Murtaja e Ruminantëve të Vegjël është një infeksion viral që përbën kërcënim të konsiderueshëm për delet, dhitë dhe disa thundrakë të egër, me shkallë sëmundshmërie që arrin në 100% dhe shkallë mortaliteti deri në 80%.

Sëmundja prek rëndë prodhimin e qumështit dhe mishit, por nuk transmetohet te njerëzit.

Murtaja e Ruminantëve të Vegjël shkakton emergjencë për shkak të përhapjes së infeksionit në mënyrë të shpejtë Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka udhëzuar Drejtoritë Rajonale që të rrisin monitorimin e fermave me të imta dhe njëkohësisht këshillon fermerët që në çdo rast të njoftojnë në autoritete përkatëse duke vene ne dispozicion edhe numra telefonik pa pagese.

Parandalimi dhe kontrolli i sëmundjes bëhet me anë të vaksinimit, zbatimit të masave të rrepta të biosigurisë në fermë, kontrollit të lëvizjes së kafshëve si dhe respektimit të karantinës.

Gazetar; Bujar Muçmata

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›