E Shtunë, 31 Tetor 2026

Boshnjakët përplasen për RTK-në

Programi në gjuhën boshnjake në Radiotelevizionin publik të Kosovës është bërë “mollë sherri” mes deputetëve të pakicave, përkatësisht mes deputetit boshnjak Numan Baliq në njërën anë dhe Xhezair Muratit dhe Sadik Idrizit, në anën tjetër.

Murati dhe Idrizi, në emër të Grupit Parlamentar 7+, kanë kërkuar nga Kryesia e Kuvendit që të marrë masa ndaj Baliqit, i cili madje i ka sulmuar edhe fizikisht, pas nje debati lidhur me RTK-në. Kurse, ky i fundit ka theksuar se kritikat e tij ndaj drejtuesve të programit në gjuhën boshnjake kanë qenë të argumentuara.

Bëhet fjalë për një konflikt gjatë një mbledhje të komisionit të mbajtur më 3 qershor, në të cilin ishte në rend dite puna e mediumit publik, RTK. Konflikti në këtë mbledhje të komisionit si duket ka kaluar përmasat e një zënke verbale, ngase, sipas Xhezair Muratit, ka pasur një tentim nga ana e Baliqit që ta godasë deputetin Sadik Idriz.

Por, Numan Baliq mohon të ketë pasur kërcënim fizik, megjithëse nuk e mohon të ketë pasur një reagim, siç thotë ai, “në mënyrë energjike”.

Deputeti Baliq ka thënë se gjatë kësaj mbledhje e ka shprehur qëndrimin e tij për shqyrtimin e punës së programit në gjuhën boshnjake në RTK. Kurse Murati e ka fajësuar kryetarin e Komisionit për të Drejtat e Komuniteteve, Petar Miletiq, se nuk ka marrë masa ndaj Baliqit.

Murati paralajmëron se nëse nuk merren masa ndaj Baliqit, katër anëtarët e Komisionit për të drejtat e komuniteteve, nuk do të marrin më pjesë në mbledhje.

Kryesia e Kuvendit e kishte të hënën për shqyrtim kërkesën e Grupit Parlamentar 7+, mirëpo nuk e ka shqyrtuar, ndërkohë që kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se problemi qëndron te fakti që kryetari i komisionit nuk ka marrë masa.

Programi në gjuhën boshnjake në RTK drejtohet nga Nadira Vllasi, për të cilin Baliq ka thënë se vazhdon të favorizojë Muratin dhe Idrizin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›