E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantohet strategjia zhvillimore për veriun

Agjencia për Zhvillim Rajonal-Veri (AZHRV) prezantoi sot në Mitrovicë draft-dokumentin e strategjisë për zhvillimin ekonomik të rajonit të veriut.

Strategjia për zhvillim rajonal ka për synim të udhëheqë punën e të gjitha organizatave dhe partnerëve në rajonin në veri, në procesin e zhvillimit. Pjesë e këtij forumi janë komunat e Mitrovicës, Vushtrrisë, Skenderajt dhe e Zubin Potokut.

"Agjencia ka rolin udhëheqës dhe lehtësues në dizajnimin e strategjisë për zhvillimin ekonomik rajonal”, ka thënë Avni Kastrati, kryetar i Komunës së Mitrovicës, njëherit kryesues i bordit të kësaj agjencie, raporton KosovaPress.

Agjencia ka themeluar grupin punues gjithëpërfshirës me një partneritet të përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, OJQ-ve, mediave dhe zyrtarëve komunalë që kanë punuar në identifikimin e prioriteteve për zhvillimin e këtij rajoni.

Arbnora Kastrati, drejtoreshë ekzekutive e AZHRV-së, tha se misioni i kësaj agjencie është të udhëheqë dhe fuqizojë zhvillimin ekonomik rajonal në veri të Kosovës në ngritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin e iniciativave ekonomike, ndërsa si objektiv kryesor është hartimi i strategjisë së zhvillimit rajonal.

Ane Sindik, zyrtare e agjencisë, shpalosi se strategjia përmban analiza socio-ekonomike, SWOT analiza (përparësitë, dobësitë, mundësitë dhe rreziqet), vizioni çfarë dëshirohet të arrijë, objektivat strategjike, zonat prioritare të investimeve, etj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›