Boshti i Jugut, në fokus të mandatit të tretë të Berishës
Entuziazëm në 22 vjetorin e themelimit të PD-së së Beratit. Kryeministri Berisha u prit në hyrje të qytetit nga mijëra beratas, të cilët përcollën mesazhin e rreshtimit të këtij qarku me fitoren e 23 qershorit. Anëtarësohen në Partinë Demokratike 300 të rinj dhe të reja të qarkut.
Berisha: “Muri i bllokimit do shembet përfundimisht më 23 qershor”
“PD do u kërkojë votën shqiptarëve për projektin e shkëlqyer të 4 viteve të ardhshme”
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në festimet e 22 vjetorit të themelimit të degës së Partisë Demokratike në Berat. Pjesë e kësaj ceremonie u bë edhe anëtarësimi i 300 të rinjve beratas në PD, 22 prej të cilëve, në mënyrë simbolike, kryeministri Berisha u dorëzoi edhe kartën e anëtarësimit. Nga qyteti mijëravjeçar, kreu i qeverisë i bëri thirrje lidershipit socialist se nuk do mund të bllokojë kurrë rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE, sepse qytetarët shqiptarë do ta shembin përfundimisht murin e bllokimit më 23 qershor. Kreu i ekzekutivit akuzoi Ramën se me qëndrimet e tij bllokuese po i privon shqiptarët nga qindra milionë euro investime të Komisionit Evropian, që i shkonin Shqipërisë me statusin e vendit kandidat. “Qeveria që ju mbështesni, ka plotësuar të gjitha kushtet që varen prej saj, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Por sot ky status është bllokuar nga votat e atyre të cilët, në vend që të lexojnë dhe të mbështesin vizionin për të ardhmen, i qëndrojnë besnik testamentit ideologjik të etërve të tyre. Nga kjo platformë, nga Berati mijëravjeçar, dua t’i them Edi Ramës se; duke shkelur ligje mund të ndërtosh pallate, t’u zësh lulishtet e dritaret gjitonëve të familjes tënde, por nuk do të mundesh kurrë t’u bllokosh shqiptarëve rrugën e integrimit, rrugën e Evropës. Muri që ke ngritur për të bllokuar statusin do të shembet përfundimisht në 23 qershor dhe ti, do të ecësh drejt arkivës së etërve të tu, sepse e vërteta është se, sot, je i vetmi në politikën evropiane që përdor pushtetin e qytetarëve të ndershëm socialist shqiptarë, për të bllokuar procesin e integrimit. Pavarësisht se ti bërtet çdo ditë për papunësi, nga ana tjetër, privon shqiptarët nga qindra e qindra milionë euro investime të Komisionit Evropian, që do i takonin Shqipërisë me statusin e vendit kandidat. Çdo ditë vjell vrer kundër shkollave e universiteteve tona, ndërkohë pengon me mijëra të drejta studimi të rinjve shqiptarë në vendet anëtare të BE-së, vetëm e vetëm se beson se, duke bllokuar statusin, do ta afrosh më shpejt karrigen e pushtetit. Bërtet çdo ditë për mjekime e spitale, ndërkohë që privon qindra e qindra shqiptarë për të marrë shërbimet më të mira që u takojnë me marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat. Por, për të gjitha këto ne kemi një besim të madh, sepse demokracia është për t’u mësuar dhe se çdo shqiptar do të nxjerrë konkluzionin e tij dhe do ta shembë si mur letre murin e bllokimit që ti vendose këto muaj para tyre, për interesa tërësisht të së shkuarës së shqiptarëve”, u shpreh Berisha. Kryeministri e cilësoi nderim të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, themelimin e Partisë Demokratike, forcës që sipas tij, solli ndryshime epokale për vendin. “Partia Demokratike bëri që shqiptarët të lënë pas sistemin e skllavërisë komuniste dhe të nisin rrugën e lirisë, rrugën e vlerave, rrugën e tregut, rrugën e integrimit. Trashëgimia jonë këto 20 vite është trashëgimi lirie, të drejtash, zhvillimi, është trashëgimi integrimi. Forca e re politike që ju themeluat 22 vjet më parë, do të shndërrohej në lokomotivën më të fuqishme në historinë e këtij kombi, për integrimin e tij në familjen e madhe të kombeve evropiane. Në një hark kohor të shkurtër, Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Evropës dhe më pas, anëtare e aleancës më të fuqishme të lirisë që kohërat kanë njohur, Aleancës së Atlantikut të Veriut. Sot shqiptarët lëvizin të lirë”, tha ai.
Natyrisht, sfidë për kryeministrin është dhe mbetet qëndrueshmëria ekonomike. Kryeministri përsëriti sërish, se falë modelit ekonomik të suksesshëm, Shqipëria ia doli të përballojë efektet e krizës së eurozonës dhe të shënojë rritje ekonomike në periudhë krize. Investimet e huaja, sipas kryeministrit, janë rritur me mbi 1 miliardë dollarë, duke u rritur në Shqipëri më shumë se në çdo vend tjetër. “Reformat tona në kulmin e krizës e bënë Shqipërinë një vend tërheqës për investimet e huaja. Para vitit 2005, 8 vite të marra së bashku, Shqipëria kishte marrë investime të huaja 38 milionë dollarë, gjysmën e asaj që kishte marrë Maqedonia, e cila kishte kaluar edhe nëpër një konflikt të armatosur. Por sa janë investimet e huaja në 4 vitet e fundit? Janë mbi 1 miliardë dollarë mesatarja e tyre. Në Shqipëri ato u rritën më shumë se në asnjë vend tjetër dhe, vitin e kaluar, Organizata Botërore e Tregtisë dhe Zhvillimit do të deklaronte se Shqipëria mori investime të huaja shumë më tepër sesa kapacitetet e saj. Këto kanë qenë vite të vështira e jo të lehta, sepse partnerët tanë kryesorë, Greqia e Italia, njohën krizën më të thellë në historinë e tyre. Por, këto kanë qenë vite në të cilat ekonomia shqiptare nuk u gjunjëzua, kanë qenë vite në të cilat eksportet e Shqipërisë u trefishuan”, theksoi kryeministri. Berisha garantoi se në të gjitha reformat e qeverisë, qëllimi i vetëm është mirëqenia e qytetarëve.
Boshti i jugut në fokus të mandatit të tretë
Kreu i qeverisë, Berisha garantoi qytetarët e Beratit se boshti i jugut do të jetë në fokus të mandatit të tij të ardhshëm, për të bërë të mundur shtrimin e çdo rruge dhe rrugice në këtë qytet. “Ne po ecim me to nga Dumreja drejt Beratit dhe ju premtoj se Boshti i Jugut dhe Rruga e Arbrit janë fjala ime e dhënë, janë zotimi im solemn dhe janë realiteti ynë i ardhshëm. Kundërshtarët e mi politikë gabojnë kur mendojnë se unë mund t’u kthej shpinën premtimeve të mia. Unë premtoj ato që besoj. Në rast se unë, sikundër çdo njëri prej jush, i besoj diçkaje, vlerës, rëndësisë, nuk tërhiqem kurrë prej saj. Ndaj nuk jam tërhequr e nuk tërhiqem kurrë nga Boshti i Jugut dhe ai do të përfundojë”, deklaroi Berisha. “Këtë vit dhe 2 vitet e ardhshme, ne do të kompletojmë infrastrukturën. Boshti i Jugut është premtimi ynë madhor. Por ju jeni dëshmitar se segmenti i parë i saj, që kushtonte gjithsej 70 milionë euro, u transformua në interesin më të mirë tuajin dhe të mbarë shqiptarëve, u shndërrua në tunelin e Kërrabës dhe të autostradës Tiranë – Elbasan, e cila kushton rreth 5 herë më shumë se segmenti Baldushk – Papër. Por ne qëndrojmë në projektet tona”, vijoi kryeministri. Shqipëria e 4-vjeçarit që vjen, theksoi Berisha, do të jetë Shqipëria e projekteve më të mëdha në tërë historinë e saj, Shqipëria e Kaskadës së Devollit, Shqipëria e projektit TAP, e gazsjellësit Trans-Adriatik.
“PD do u kërkojë votën shqiptarëve për projektin e shkëlqyer të 4 viteve të ardhshme”
Kryeministri theksoi nga Berati se po ecet drejt zgjedhjeve dhe forca politike që ai drejton shkon te qytetarët dhe kërkon me njerëzi votën e tyre, jo për faktin se tashmë është faktuar si forca politike kryesore e integrimit të vendit, që ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO, ka mundësuar heqjen e vizave, apo ka merituar statusin e vendit kandidat, por kjo forcë politike shkon e kërkon votën për projektin e shkëlqyer të katër viteve që vijnë. Përmes këtij projekti “zotohemi që në këtë vend të konsolidojmë shërbimet më të mira për qytetarët shqiptarë, standardet më të mira për shkollimin e tyre, standardet më të mira për shërbimin shëndetësor, standardet më të mira për lëvizjen e tyre dhe transportin rrugor, se do të krijojmë standardet më të mira për biznesin dhe punësimin, se do të bëjmë gjithçka për të lehtësuar më tej biznesin shqiptar”, u shpreh Kryeministri.