Letra e Edip Tërshanës, drejtuar Enverit nga burgu, një fshikullimë për shitjen e atdheut
Me rastin e 65-vjetorit të pushkatimit
Nacionalçlirimtari Edip Tërshana, Kryetar i Qarkut antifashist n.çlirimtar të Dibrës, e ndjeu veten të tradhtuar. Ai shkroi në burg një letër për diktatorin, e fshehu në astarin e xhaketës dhe kërkoi t’i jepte fund jetës në qeli, duke prerë damarët. Shpresonte që letra të gjendej nga familjarët. Biografia e këtyre trimave mund të fillojë nga fundi. Ka njerëz të shquar me një fund të zakonshëm. Por ka edhe njerëz të shquar me një fund të lavdishëm. I tillë ka qenë Edip Tërshana. T’i thuhej dikujt se E. Hoxhës i kishin shkruar nga qelia se ishte tradhtar, do të luhatej për ta besuar. Por letra e tij është zbuluar në arkivin e Ministrisë së Brendshme. Dëshmi heroizmi nga të rrallët. Data fatale e ekzekutimit qé pikërisht 65 vite më parë, më 18 janar 1948. Hetuesi ia gjeti letrën në xhaketë dhe bëri çmos që të shpëtonte. Nuk duhej të vdiste pa gjyq. Letra fyese për tradhtinë kombëtare të E. Hoxhës, kërkonte shpagim.
Duhej të kishe një atdhedashuri si ajo e Skënderbeut, një trimëri si ajo e Herkulit dhe një përkushtim si ai i Prometeut, që të sfidonte Zeusin dhe të ishe në gjendje që të mbaje mbi supet një rruzull të tërë, si Atlasi. Biografia e këtyre njerëzve mund t’u paraqitet fare shkurt atyre njerëzve që nuk e njohin ende, me fjalët sublime të mbylljes së jetës si rrallëkush. A mund të përfytyrohet si është shkruar ajo letër? Në qinare gazetash, domethënë në pjesët anësore të pashkruara. Dhe është një letër sa dy faqe libri.
Mjafton të riprodhojmë një pjesë të saj: “Enver, Ideali kombëtar më ka ba që të jem kundër Lëvizjes, ndonëse isha krijuesi i Lëvizjes nacionalçlirimtare në Dibër. Por ti je kundër atdheut, se hoqe dorë nga Kosova dhe nga Dibra, që janë nën robërinë e Beligradit. Kjo asht tradhti kombëtare. Organizatorët sllavë drejtojnë punët tona shtetnore. Kjo asht tradhti.
Politika juaj prosllave e ka ba UNO-n kundër nesh. Kjo asht tradhti. 20.000 – 30.000 shqiptarë dergjen burgjeve se s’janë komunistë. Kjo asht tradhti. Malli i UNRA-s shkoi në pjesën ma të madhe në Rusi dhe te Titoja. Kjo asht tradhti”. Nuk besoj të ketë pasur një fshikullimë më të fortë Enver Hoxha se kjo ofshamje bubullitëse nga një person të cilin tirani e ka mbyllur në burgun e vdekjes, por pa mundur dot t’ia bllokojë në grykë edhe të katër të vërtetat, që heroi ia përplasi në sy nga, qelia. Edip Tërshana është një shëmbëlltyrë veneracioni për ata që duan ta kenë si udhëheqës shpirtëror, së paku për dy arsye: luftoi si nacionalçlirimtar, por vdiq si antikomunist. Fjala nacionalçlirimtar për Edipin tingëllonte si një bashkëveprimtari me nacionalistët, të cilët gjithmonë i kishte nderuar. Por ky bashkim forcash u përbuz. Nacionalizmi iu mbrujt Edipit nga ndërtimi i shkollave në Kosovë në kohën kur, për një paradoks, Kosova ishte më e lirë nën okupacionin (kalimtar) sesa nën pushtimin mizor sllav, me ndihmën e parullave hipokrite të internacionalizmit proletar dhe të përgjumjes së idealeve kombëtare, me sloganet e pështira të bashkim-vëllazërimit. Edipi ndërtoi një mori shkollash në Kosovë, altarë ku mësohej gjuha shqipe. Në ato kohë kritike nën thundrën e okupatorëve, të ishe nac.çlirimtar nuk do të thotë, domosdoshmërish, të ishe komunist. Në kurthin e lugës së artë dhe të yshtjeve pa dallime gjer te ato të ideve (!), ranë edhe shumë atdhetarë të dëlirët, në mirëbesim. Këtë zhgënjim e pati edhe Qytetari i Nderit të Dibrës, Edip Tërshana i cili, sipas shumë njerëzve që e admirojnë për guximin e jashtëzakonshëm kundër diktatorit E. Hoxha dhe diktaturës së tij, edhe një përmendore në qytetin e lindjes. Ata që do të thellohen në jetën e këtij atdhetari të flaktë do të kuptojnë sesa mësimdhënëse dhe sa aktualitet ka kjo jetë që e përballoi vdekjen me krenari, në moshën 40-vjeçare.