E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosnja nuk mundet

Bosnja e Hercegovina do ta njohë shpejt Kosovën, pasi dy vendet nuk kanë probleme mes vete.
Kështu ka deklaruar Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, në një intervistë për të përditshmen sarajevase “Dnevni Avaz” të publikuar të enjten.

Diplomati kosovar ka thënë se nuk sheh ndonjë arsye që kjo njohje të mos ndodhë.

“Nuk shoh arsye pse Bosnja e Hercegovina nuk do ta njohë pavarësinë dhe pres që kjo të ndodhë shpejt”, ka thënë ai.

"Edhe pse i kuptoj disa probleme të brendshme, nëse ekzistojnë në B e H, por jam i sigurt se do të vijë njohja dhe se për këtë shumë shpejt do të bisedohet. Kosova dhe Be H nuk kanë çështje dhe probleme të pazgjidhura dhe koha për këtë (njohje) do të vijë”, ka shtuar diplomati kosovar.
Kjo gazetë ka përshkruar Hysenin si një diplomat me përvojë të madhe, duke rikujtuar se ai dikur ka qenë këshilltar i Presidentit Rugova.

Hyseni, të mërkurën, ne kryeqytetin boshnjak, ka marrë pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë BE-Ballkani Perëndimor.

Por, cilat janë shanset që Kosova të njihet nga Bosnja e Hercegovina, e cila ndryshe nga shtetet tjera që kanë dalë nga shpërbërja e Jugosllavisë, ka një rregullim specifik të brendshëm si rezultat i marrëveshjes së Daytonit, e cila i ka dhënë fund luftës së përgjakshme atje.

Bosnja e Hercegovina përbëhet nga dy entitete: Federata e Bosnjë e Hercegovinës dhe Republika Srpska, e cila ka të drejtën e vetos në vendimmarrje.

Pikërisht, për këtë Kryesuesi i Presidencës tre anëtarësh të Bosnjë e Hercegovinës, Haris Silajdzic, thotë se kjo çështje asnjëherë nuk është vënë në rend dite në institucionet e këtij shteti.

“Ne nuk e kemi pasur kurrë në rendin e ditës njohjen e Kosovës, për shkak se në përbërjen që kemi ne, njohja e Kosovës nuk do të ishte e mundur, prandaj as që e kemi futur në rend të ditës. Duke pasur parasysh votimin në Kuvendin e Bosnjës e Hercegovinës, kjo thjesht nuk do të ishte e mundur, prandaj vendosja në rendin e ditës së çështjes së Kosovës do të nënkuptonte hapjen e një debati pa kurrfarë rezultati”, ka thënë Silajdzic në një intervistë për BBC.

Ky qëndrim tashmë është theksuar nga zyrtarët e këtij shteti. Bosnja e Hercegovina dhe Serbia janë dy shtetet e vetme që kanë dalë nga ish-Jugosllavia që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Pritja që Bosnja ta njohë Kosovën nuk është reale as për analistin Dusan Janjic.

Analisti serb, në një bisedë për Express, të enjten ka thënë se kjo njohje nuk do të ndodhë për shkak të funksionimit të brendshëm të Bosnjë e Hercegovinës.

“Bosnja funksionin sipas parimit të konsensusit me Republikën Srpska, e cila e ka të drejtën e vetos.

Nëse Banja Lluka do të pranonte njohjen nga Bosnja e Hercegovina, kjo do ta rrënonte qëndrimin e Beogradit për mosnjohje të pavarësisë së Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Janjic thotë se bllokada e njohjeve nuk ka të bëjë vetëm me lojtarët e vegjël.

“Ky nuk është vetëm një qëndrim i Beogradit, por edhe i Moskës dhe Pekinit”, ka thënë Janjic.

Sarajeva e suksesshme

Analisti politik Janjic ka vlerësuar edhe takimin e Sarajevës, i cili është mbajtur të mërkurën në Sarajevë.

Ai ka thënë se ky takim megjithatë mund të cilësohet i suksesshëm.

“Unë kam pritur një rrjedhë të tillë. Nga ky samit nuk ka pasur pritje shumë të mëdha. Për ata që nuk kanë pasur pritje të mëdha dhe që e njohin situatën në Europë dhe rajon, mund të thuhet se takimi ka qenë i suksesshëm”, ka thënë ai.

Sipas Janjic, “ky takim ka rikonfirmuar përcaktimin e përgjithshëm të dy palëve ( BE’së dhe Ballkanit Perëndimor) për integrimet europiane dhe së dyti ka dhënë një porosi indirekte për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kjo është që të mos mashtrohen se kjo është një rrugë e lehtë”.

Duke komentuar praninë e Ministrit Hyseni dhe Ministrit Jeremic në këtë takim, Janjic ka thënë se kjo është bërë e mundur nga shumë faktorë.

“Përgatitjet për këtë takim nga Brukseli dhe Washingtoni, që ka aktivizuar edhe Turqinë, kanë arritur të krijojnë një atmosferë pozitive së paku mes presidentëve të shteteve që ekzistojnë në Ballkanin Perëndimor dhe natyrisht është mirë dhe kjo është një sukses që është gjetur formula që edhe Kosova të jetë në këtë samit”.

Ai ka komentuar edhe deklaratat e Ministrit të Serbisë, të cilat i ka bërë pas takimit.

“Jeremic ka përsëritur qëndrimin e Beogradit se retorika e tij i dedikohet gjithmonë edhe opinionit publik në Serbi .Por, fakt është se aty ka marrë pjesë edhe delegacioni i Kosovës. Jeremic ka provuar që këtë takim për opinionin e brendshëm ta prezantojë si një rezultat të kontrolluar dhe të dëshiruar e jo si ndonjë lëshim”, ka thënë Janjic.

“Unë mendoj se popullit i duhet thënë e vërteta, se Kosova është realitet e ne nuk e njohim . Por, fakti që ne nuk e njohim Kosovën bllokon disa iniciativa rajonale si CEFTA’n. Kosova atje duhet të nënshkruhet ashtu siç dëshiron”, ka thënë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›