E Enjte, 5 Nëntor 2026

Bosnje-Hercegovina, kundërshtari i Shqipërisë

Shqipëria në volejboll për meshkuj, që drejtohet nga Jani Melka dhe ndihmësit e tij Agim Reka dhe Dritan Bardhi, të shtunën pasdite do të luajë ndeshjen e dytë për Ligën e Argjendë. Bëhet fjalë për ballafaqimin me Bosnje-Hercegovinën, që në ora 16:00 do të zhvillohet në Pallatin e Sportit “SKPS Mejdan” në Tuzla. Shqipëria vjen pas humbjes me Rumaninë, 1-3, të martën e kaluar në sallën olimpike “Feti Borova”. E në të njëjta kushte me kuqezinjtë është dhe Bosnje-Hercegovina, e cila, po të martën, është mundur nga Maqedonia e Veriut, 0-3, në Pallatin e Sportit “Boris Trajkovski” të Shkupit.

Kuqezinjtë kanë mbërritur të premten në Tuzla, ndërsa përgatitjet e tyre i kanë zhvilluar në Pallatin e Sportit të Farkës për shkak se salla olimpike “Feti Borova” deri më 5 qershor është e angazhuar me Kampionatin Europian të të rriturve në Peshëngritje. Shpresohet që, edhe duke qenë dy kundërshtar të barabartë, Shqipëria të bëjë një paraqitje ndryshe nga ajo me Rumaninë duke menduar se mund të marrë dhe rezultatin pozitiv.

Të paktën paraqitja e kuqezinjve duke nisur që nga Deliu, Baruti, Bakiri, Koçi, Martiro, apo liberove Muça e Lumani të jetë në të njëjtin nivel me Qafarenën, që ishte lojtari më i mirë i kuqezinjve në përballjen me rumunët. Ndeshja Bosnje-Hercegovinë – Shqipëri do të gjykohet nga Svetllana Zotoviç nga Serbia dhe boshnjaku Zdravko Jakisa. Ajo që pritet është rezultati pozitiv nga kuqezinjtë e rrjetës për djem.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›