Teuta, kampione e Shqipërisë

Teuta është kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj, teksa në Shkodër, në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, ka ngritur trofeun e katërt në historinë e pjesëmarrjes së saj në kampionatet e koshit. Madje është titulli i dytë kampion radhazi, ndërsa këtë herë e ka mbyllur serinë e ndeshjeve, 3-1 në favor të vet. Duket sikur Vllaznia ka dëshirën dhe entuziasmin për të mos u dorëzuar lehtë, ndërsa ka fituar periodën e parë 24-16.
Mirëpo durrsakët ndryshojnë marsh e ritëm dhe duke fituar periodën e dytë 23-11 në pushim kanë përmbysur në 39-35. Shkodranët kanë ngërç psikologjik dhe për rrjedhojë u është mbyllur koshi, ndërsa nuk reagojnë as pas pushimit. 14-10 perioda e tretë për Teutën, që thellon në 53-45. E fundit 15-8 për Teutën dhe përfundimisht 68-53 për durrsakët, që festojnë titullin e tyre të katërt në basketbollin shqiptar.
Medaljet për Vllazninë nënkampione dhe Teutën kampione të Shqipërisë i ka dorëzuar sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, dhe sekretari i shoqatës së basketbollit të Vllaznisë, Blendi Dibra. Kupa në duart e kapitenit të Teutës, Kristi Gorea, dhe festa është e gjitha për “djemtë e detit”.