Boston, merr fund gjuetia ndaj autorëve të shpërthimeve, i dyti kapet i gjallë nga policia
Policia e Bostonit ka njoftuar se i dyshuari i bombave në Maratonën e Bostonit është kapur i gjallë, duke i dhënë kështu fund gjuetisë masive, që futi në shtetrrethim kryeqendrën e Massachusetts, pas paralajmërimeve se personi i kërkuar mund të ishte i armatosur me eksplozivë.
Zyrtarë të zbatimit të ligjit thanë për CNN se autoritetet kanë konfirmuar identitetin e personit të arrestuar, është pikërisht 19-vjecari Dzhokar Tsarnaev, i cili ia mbathi shkëmbimit të zjarrit një ditë më parë në periferinë e Watertown-it, ku mbeti i vdekur vëllai i tij i madh, Tamerlan Tsarnaev, i kërkuari tjetër si përgjegjës i bombave që shpërthyen disa ditë më parë.
I riu Tsarnaev, sipas zyrtarëve, ishte në nevojë urgjente për kujdesin mjekësor, por nuk bëhet e ditur se për çfarë ndihme konkretisht. Ai është transportuar me ambulancë nga vendngjarja. Pasi njoftoi në Twitter se i dyshuari ishte drejtuar për në paraburgim, policia e Bostonit shkroi në rrjetin social: U kap! Gjuetia përfundoi. Kërkimi rezultoi me sukses. Terrorit i erdhi fundi. Drejtësia fitoi. I dyshuari do të merret në pyetje.
Arrestimi erdhi në më pak se 1 javë, pasi dy bomba shpërthyen pranë vijës së finishit të Maratonës së Bostonit, duke shokuar kombin dhe duke lënë një qytet të tërë në ankth. Tsarnaev u rrethua gjatë orëve të vona të së premtes në një varkë në Watertown, në periferi të Bostonit.
“Kemi mbyllur një kapitull të rëndësishëm në këtë tragjedi”, tha presidenti Barack Obama në një fjalim televiziv. Edhe pse i është dhënë fund këtij makthi, ai u zotua se do të gjejë përgjigjet e motivit të sulmit, si dhe do të mësohet nëse të dyshuarit kanë pasur ndihma të jashtme, për të realizuar komplotin.
20 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
Boston, merr fund gjuetia ndaj autorëve të shpërthimeve, i dyti kapet i gjallë nga policia burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email