E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani shpërblen Ndrecën e Kolegjit

Fatjona Mejdini

Dekretet

Emërohen dy anëtarët e Gjykatës së Lartë. Rama: O President, harrove Sashenkën

Numrat  - Seanca parlamentare, ku pritet të kalojnë emrat e anëtarëve të rinj të zgjedhur nga Presidenti për Gjykatën e Lartë parashikohet me shumë debate. Në Kuvend do të rinisë edhe loja e numrave, nisur nga fakti se miratimi i një dekreti kërkon minimalisht 71 vota. Por PD ka votat e 3 ish-deputetëve të PS-së

Fatjona Mejdini

Bujar NishaniPresidenti Bujar Nishani zgjodhi dje dy emrat që do i kalojnë Kuvendit për anëtarë të Gjykatës së Lartë, ku spikati emri i Tom Ndrecës, njeriu që vendosi të numërohen votat në kutinë e gabuar për Bashkinë e Tiranës, dy vite më parë. Po kështu Nishani zgjodhi anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Admir Thanza, për të mbajtur vendin tjetër vakant në Gjykatën e Lartë. Dy dekretet e kreut të shtetit u bënë publike dje në mesditë, dhe pritet që ditën e hënë të kalojnë për miratim në seancën e radhës së Kuvendit. Por emri i Tom Ndrecës pati menjëherë kontestim në selinë rozë. Kreu i kësaj partie, Edi Rama, përmes rrjeteve sociale e ironizoi këtë zgjedhje të Nishanit, duke i kujtuar kreut të shtetit se duhet të shpërblente edhe gjyqtaren e Apelit, Sashenka Jonuzi. Rama theksoi se ata ishin të dy heronj për sa i përket vendimit që dhanë në favor të fitores së Bashkisë së Tiranës nga kandidati i PD-së, Lulzim Basha.

Vendimi

Presidenti Nishani deklaroi dje, përmes zyrës së shtypit, se ai kishte zgjedhur për të çuar në këtë gjykatë të rëndësishme, anëtarin e Gjykatës së Apelit, Tom Ndrecën, dhe atë të Gjykatës Kushtetuese, Admir Thanzën. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, dekretoi emërimin e zotit Tom Ndreca dhe Admir Thanza, anëtarë të Gjykatës së Lartë, theksohet në njoftimin për shtyp të nisur dje nga zyra e shtypit të Presidencës. Këto dekrete pritet të shkojnë për miratimin përfundimtar në Kuvend në seancën e ditës së hënë.

Kontestimi

Emri i Tom Ndrecës si i zgjedhur nga Nishani për anëtar të Gjykatës së Lartë, ka ngjallur reagim në radhët e opozitës. Ishte vetë kreu i PS-së, Edi Rama, i cili pak orë pasi këto dy dekrete u bënë publike, nuk kurseu ironinë në rrjetet sociale. O President, mos harro Sashenkën se nuk ishte Toma më shumë hero sesa ajo në luftën për Bashkinë e Tiranës, që Tomën ta shpërbleni e Sashenkën jo, theksoi Rama në lidhje me këtë përzgjedhje. Ky reagim vjen për shkak të faktit se gjyqtari i Apelit, Tom Ndreca, ishte relator në trupën e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor që vendosën rrëzimin e kërkesës ankimore të PS-së për sa i përket mënyrës sesi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte zhvilluar procedurat për shpalljen fitues të kandidatit të PD-së në zgjedhjet vendore. Rrëzimi i kësaj ankese vulosi përfundimisht fitoren e Lulzim Bashës në Tiranë dhe po kështu humbi përgjithnjë shpresat e socialistëve për kthimin mbrapsht të fitores me 10 vota të kandidatit Edi Rama. Ngjarja e ndodhur u fiksua fort në kujtesën e shqiptarëve dhe bashkë me të edhe emri i dy gjyqtarëve, Tom Ndreca dhe Sashenka Jonuzi. Ata u denoncuan nga opozita se kishin shkelur ligjin, duke dhënë një vendim të padrejtë, i cili kishte sjell si pasojë rrënimin e procesit zgjedhor lokal në kryeqytet. Nga foltoret e PS-së, këta gjyqtarë u konsideruan si të shitur nga pushteti dhe çështja e Tiranës dhe e vendit që u dha për të u kthye në një kauzë të fortë e opozitës kundër vjedhjes së rezultatit të zgjedhjeve dhe përmes gjyqtarëve e institucioneve të drejtësisë. Ky debat pritet të hapet prapë të hënën në Parlamentin e Shqipërisë, ku këto dekrete presin të votohen për të hyrë në fuqi.

Nishani shpërblen Ndrecën e Kolegjit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›