Bota, më e uritur se kurrë
Pakësimi i ndihmave dhe mungesa e investimeve në bujqësi kanë shkaktuar një rritje të ndjeshme të numrit të të uriturve në botë. Ky është përfundimi i një raporti të OKB-së, sipas të cilit nëse kjo tendencë nuk do të ndryshojë, atëherë objektivi i përgjysmimit të të uriturve në botë deri në vitin 2015 nuk do të arrihet. Pas disa fitoreve në pakësimin e varfërisë në vitet ‘80 dhe ‘90, numri i njerëzve të kequshqyer nisi që të rritej ndjeshëm në vitin 1995, duke kapur shifrën 1.02 miliardë këtë vit. Shkaqet janë kombinimi i çmimeve të larta të ushqimeve me krizën financiare. Fajin për tendencën afatgjatë të këtij fenomeni e mban edhe reduktimi i ndjeshëm i ndihmave financiare dhe pakësimi maksimal i investimeve në bujqësi, që nga mesi i viteve ‘80. Në vend që t‘i ishte dhënë një rëndësi më e madhe bujqësisë, thuhet në raport, gjatë gjithë këtyre viteve ajo është lënë pas dore në mënyrë të vazhdueshme. Në vitin 1980, 17% e ndihmës që vinte nga vendet e pasura ndaj atyre të varfra shkonte në bujqësi. Në vitin 2006 ajo përqindje u reduktua në 3.8% dhe gjatë viteve të fundit është përmirësuar shumë pak. Qeveritë dhe investitorët duhet të kenë vepruar kështu edhe duke pasur parasysh zhvendosjen e madhe të fshatarëve në qytet. Me siguri që kanë menduar se tashmë bujqësia nuk përbën më një investim primar si dikur. Por kjo nuk është e vërtetë, sepse bujqësia është vazhdimisht në qendër të vëmendjes për sa i përket shuarjes së urisë në botë. Bujqësia mund të mos duket kaq e rëndësishme, por ajo ka nevojë për investime të vazhdueshme, sepse nëse braktiset, atëherë kjo do të ndihet shumë shpejt nga popullatat më të varfra të botës, gjë që po ndodh aktualisht. Rritja e çmimit të ushqimeve në vitin 2007 dhe 2008 i shtyu familjet e varfra që të reduktonin ndjeshëm shifrat për sa i përket blerjes së ushqimeve, kujdesit shëndetësor dhe arsimimit. Edhe pse trazirat që u shkaktuan nga këto çmime në shumë vende të botës janë qetësuar tashmë, shkaku i krijimit të tyre mbetet i pandryshuar, veçanërisht në botën në zhvillim. Ndërkohë, kriza ekonomike botërore po e rrit ndjeshëm papunësinë, duke ulur kështu edhe paratë që emigrantët çojnë në shtëpitë e tyre, pasi një pjesë e madhe e tyre tashmë janë të papunë. Aktualisht, 30 vende kanë nevojë për një asistencë urgjente në ushqime. 20 nga këto vende janë në Afrikë. Në qershor FAO deklaroi se numri i të uriturve në botë ka kapur shifrën 1 miliard, ose një të gjashtën e popullsisë së planetit. Rajonet më të populluara të Afrikës dhe Paqësorit kanë edhe numrin më të madh të njerëzve të uritur, gjithsej 642 milionë që ndiqet nga Afrika Sub Sahariane me 265 milionë. Liderët botërorë kanë nisur që të kuptojnë faktin se investimet në bujqësi duhet që të rriten patjetër dhe në një shkallë të ndjeshme.