Musolini, spiuni i britanikëve
Benito Musolini mund të jetë një nga diktatorët fashistë më të famshëm të historisë, por sipas provave e fakteve të fundit, ai ka qenë edhe një spiun shumë i paguar. Kështu, gjatë Luftës së Parë Botërore ai ka punuar për Shërbimin Sekret Britanik, ose MI5. Historiani Peter Martland ka deklaruar së fundi se dokumente të caktuara nxjerrin në pah se "Duçja", siç mbithirrej Musolini, paguhej çdo javë me rreth 8 dollarë për të përhapur propagandë pro luftës në gazetën e tij. Historiani në fjalë, akademik i njohur, e ka bërë këtë zbulim ndërsa po studionte disa materialet e një ish-agjenti dhe është i bindur se Musolini, për nga vetë natyra që kishte, i ka shpenzuar të gjitha paratë pas femrave. Për pagesat javore u ra dakord në vitin 1917, pasi Rusia ra në duart e bolshevikëve dhe Italia u shkatërrua në betejën e Caporetos. Në atë periudhë, Britania druhej se mos humbiste luftën, ndaj me këtë rast dërgoi në Itali një grup prej 100 oficerësh të shërbimeve sekrete për të pasur situatën nën kontroll, si edhe për të shkatërruar shtyllën kurrizore të protestave të klasës punëtore. "Të varfrit dhe punëtorët e Italisë vuanin njësoj si ata të Anglisë, pra nga hiperinflacioni. Mungesa e ushqimeve dhe shtypi që nuk ishte domosdoshmërisht pro luftës", thotë profesori. Musolini në atë kohë kishte një gazetë socialiste me emrin "Popolo d‘Italia". Materiali mbi Musolinin është gjetur në morinë e dokumenteve të shumta të agjentit Samuel Hoare. Ai ishte një konservator i njohur, i cili u bë sekretar i jashtëm rreth 2 dhjetëvjeçarë më pas dhe në vitin 1935 nënshkroi një pakt që do t‘i jepte Musolinit, në atë kohë i shndërruar në një diktator të pamëshirshëm, kontrollin mbi Abisininë, ose Etiopinë e sotme. Në vitin 1917, Britania e Madhe shpenzonte për luftën rreth 8 milionë dollarë në ditë, ndaj shuma që i paguhej Musolinit për të bërë propagandën që i Leverdiste Londrës nuk ishte e madhe.