“Bota nesër”, së shpejti Asanzh nis show-n televiziv

Episodi i parë i shou-t të themeluesit të Wikileaks-it, Xhulian Asanzh, do të transmetohet në televizionin rus “Russia Today” të martën, më 17 prill.
Wikileaks ka bërë të ditur se Asanzh ka përfunduar xhirimet e 12 episodeve të show-t që mban titullin “Bota nesër” e që do të transmetohen online dhe nga kanali rus.
Web-faqja nuk ka bërë publikë emrat e të ftuarve, por ka premtuar një përzgjedhje të shumëllojshme që përfshin “politikanë, revolucionarë, intelektualë, artistë dhe vizionarë”.
Wikileaks ka arritur famën pas publikimit të mijëra dokumenteve sekrete të Shteteve të Bashkuara, hap që ka zemëruar në masë të madhe Uashingtonin.
Asanzh është në pritje të një vendimi gjyqësor nga drejtësia britanike, në lidhje me ankesën e tij kundër ekstradimit në Suedi, ku do të përballej me akuzat për sulme seksuale. Akuzat në fjalë, Asanzh i mohon.