E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botërori 2010, i rrezikuar nga terroristët

Sulmi terrorist i së martës në Pakistan ndaj skuadrës së Sri Lankës në kriket, ku mbetën të vdekur tetë persona dhe shtatë sportistë u plagosën, ka ngritur pikëpyetje rreth sigurisë në Botërorin 2010, që do të zhvillohet në Afrikën e Jugut. Pas kësaj ngjarjeje, sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Zherom Valke, kërkoi që javën e ardhshme në Johanesburg të mblidhet "komiteti i vlerësimit të krizave", ku me organizatorët e evenimentit do të diskutohet për të pasur "masa maksimale sigurie". Gjatë Botërorit 2006, të zhvilluar në Gjermani, i ishte kushtuar më shumë vëmendje "huliganëve", ndërkohë që përpara aktivitetit, shefi i policisë, Konrad Frajberg, paralajmëroi se spektakli botëror i futbollit nuk rrezikohej vetëm prej tifozëve që ziheshin në rrugë. "Kupa e Botës, u shpreh ai, është një shënjestër që i tërheq terroristët". Kontinenti afrikan do të presë për herë të parë një aktivitet të rëndësishëm, i cili pritet të tërheqë mbi 1 milion turistë, mes të cilëve politikanë dhe njerëz të njohur nga e gjithë bota. Ajo do të transmetohet në të gjithë globin, duke nxitur në këtë mënyrë grupet terroriste që mund të kërkojnë të godasin figurat e njohura dhe të reklamohen për aktet e tyre. Afrika e Jugut, nga ana e saj, do të shtojë numrin e forcave policore dhe do të rrisë kontrollin e kufijve gjatë Botërorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›