Botërori dhe objektivat e kuqezinjve

Kampionati Kombëtar i notit për të rinj dhe të rritur ka ulur siparin. Në të kanë marrë pjesë dhe ata që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Botërorin e Fukuokas, që është ekskluzivitet i Radio Televizionit Shqiptar. Bëhet fjalë për Zhuljan Lavdaniti, Mark Ducaj, Vivian Xhemollari dhe Katie Rock. Trajneri i Shqipërisë, Eduard Cane, për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar tregon dhe pretendimet e sportistëve.
“Ajo që ne do të synojmë është thyerja e rekordeve personale, por dhe ato kombëtare”, thotë trajneri i Shqipërisë në not, Eduard Cane.
Por për vetë Mark Ducajn dhe Zhuljan Lavdanitin cilat janë objektivat për Botërorin e Fukuokas?
“Unë jam më mirë në 400 metra stil i lirë, ndërsa duhet të shkojë poshtë katër minutave. Mundësisht 3’58” dhe me marrë shumë pikë FINA”, nënvizon Mark Ducaj.
“Kam disa synime, ndërsa bëhet fjalë për dy kohët e mia. Dhe nëse i kap ato do të jem i kënaqur”, thotë Zhuljan Lavdaniti.
Sipas Canes, ky kampionat kombëtar ishte një test për notarët e Botërorit
“Shërben për të parë se ku janë deri në këto momente. Për aq sa i kemi parë janë në një formë të jashtëzakonshme. Dhe shpresojmë që të dalin sa më mirë”, thotë Cane.
Por çfarë do të thotë pjesëmarrja në një kampionat botëror të rriturish? Cane si trajner dhe Lavdaniti si notar e kanë një përgjigje.
“Çdo vit e më shumë rritet niveli i sportistëve tanë. Dhe kjo tregohet nga rezultatet që ne po marrim nga kampionatet tona, sidomos kombëtare, apo rekordet që ne po thyejmë, kjo çdo vit dhe më shumë”, deklaroi Cane.
“Të marrësh pjesë në Kampionat Botëror si notar është një gjë shumë e madhe. Dhe shpresojmë të bëjmë një perfomancë të mirë”, ka përfunduar Lavdaniti.