E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KOKSH, mirënjohje për Gegën dhe Karaqin

“Mirë se vini kampionë”! Kjo ishte ceremonia e organizuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar kushtuar Luiza Gegës dhe Alvin Karaqit, të cilët ishin medalistë të artë në Lojërat Olimpike Europiane 2023, që ishte ekskluzivitet i Radio Televizionit Shqiptar. Për të dy dhe një mirënjohje nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, ndërsa për Gegën ishte zyrtarizimi i medaljes olimpike nga Krakov e Polonisë.

“Sigurisht që nuk isha e favorizuar duke qenë se Shqipëria merrte pjesë në Divizionin e tretë dhe konkurrentët nuk ishin në nivelin tim. Kjo për të patur një konkurrencë të fortë e për të shtyrë dhe për të patur një kohë të shpejtë. Gjithsesi koha që realizova, pra 9’17”, ishte koha më e shpejtë dhe jam e kënaqur”, shpjegon Luiza Gega për RTSH.

“Ndihem shumë i privilegjuar së pari që kam përfaqësuar Shqipërinë dhe kam fituar këtë medalje të artë për Shqipërinë dhe ka qenë medalja e parë, gjë që në fakt nuk e kam ditur. Po gëzohem shumë që jam unë ai që po shkruaj historinë për Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar”, shpjegon Alvin Karaqi.

Shqipëria dy medalje të arta dhe më mirë se sa Kosova në këto Lojëra Olimpike Europiane. Për presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, nuk ishte krejt e rastësishme.

“Nuk kishte kënaqësi më të madhe kur shikon sportistët shqiptarë që ngrenë flamurin dhe këndohet hymni shqiptar. Dhe kjo nuk vjen si rezultat i thjeshtë i një gare”, tregon i pari i olimpizmit shqiptar.

Por nëse për Gegën është gjë e zakonshme, për Karaqin ndoshta askush nuk e ka menduar një medalje të tillë.

“Alvini është një sportist shumë i mirë. Ka qenë në renditje në vendin e nëntë në Europë dhe arriti që nga vendi i nëntë të mposhte të gjithë Kampionët e Europës”, përfundon Fidel Ylli.

Disa certifikata mirënjohje për të gjithë sportistët pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Europiane kanë mbyllur dhe këtë ceremoni zyrtare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›