Botërori i MMA-së gjallëron “Feti Borovën”

Kampionati Botëror i MMA-së në nivelin amator, që është duke u zhvilluar në sallën olimpike “Feti Borova”, teksa ka nisur më 20 nëntor, ka sjellë në Tiranë mbi 56 delegacione dhe mbi 500 sportistë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Ndeshjeve të Lira, Arjan Rizaj, ka qenë i kënaqur me organizimin e eventit, gjë për të cilën është vlerësuar dhe nga ndërkombëtarët.
“Ky aktivitet duhet të shërbejë për masivizimin që të ndërtojmë të ardhmen e këtij sporti të MMA-së në vendin tonë, të sigurohemi për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të marrim shembullin më të mirë të organizimit të këtij Kampionati Botëror”, shpjegon Arjan Rizaj.
Por cila ishte pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë Botëror, i cili përfundon të shtunën?
“Unë dua t’i falënderoj sportistët që morën pjesë. Ka qenë e kënaqshme, por jo në lartësinë e kërkuar të këtij evenimenti”, nënvizon i pari i MMA-së shqiptare.
Pas këtij Botërori, cila do të jetë e ardhmja e MMA-së në vendin tonë dhe si do të punohet për përhapjen?
“Synimi im është që bashkë me stafin, por dhe ata që janë përfshirë në organizimin e këtij Botërori, ta bëjmë këtë sport të sigurtë, popullor dhe të dashur për të gjithë”, thotë Rizaj.
A mundet Shqipëria të organizojë të tilla aktivitete në të ardhmen?
“Mund të sjellim Kampionatin Botëror të të rinjve dhe fëmijëve. E kjo do të jetë shumë mirë, sepse do të jetë një numër më i madh pjesëmarrësish”, përfundon i pari i ndeshjeve të lira në Shqipëri.
Gjatë ditëve të Botërorit nuk ka munguar as vëzhgimi i Presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, zëvendësministrit të Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi. Një event që i shtohet të gjitha aktiviteteve ndërkombëtar për Tiranën Kryeqyteti Europian i Sportit në 2023.