Botërori i Mundjes, Shqipëria tjetër objektiv

Tashmë Kampionati Botëror i Mundjes për moshën deri në 23 vjeç është një mision i përmbushur. Shtetet e Bashkuara të Amerikës Kampion Bote në mundjen e lirë, Turqia në atë greko-romake dhe Japonia për femra. Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Mundjes, Isa Merkja, tregon për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar organizimin e këtij eventi.
“Si organizim dhe si event deri tani ka shkuar shumë mirë dhe besuam se do ta mbyllnim me sukses”, thotë Isa Merkja
Pas një viti Botërori përsëri në Tiranë. Çfarë duhet për ta bërë edhe më të mirë këtë Botëror?
“Sigurisht që ka vend për përmirësim. Çdo vit ka diçka të re. Çdo vit gabime apo gjëra të vogla që mund të kenë ndodhur. Shpresojmë që vitin tjetër t’i rekuperojmë këto gabime dhe çdo gjë të shkojë në perfeksion”, shpjegon Merkja
E ndërkohë që ndërrohen brezat, çfarë duhet pritur nga Shqipëria?
“Ne presim që rezultatet të jenë më të larta. Sepse tanimë e dimë që do të zhvillohet në Tiranë dhe në Shqipëri e sportistët kanë kohën e vet për t’u përgatitur dhe për të dhënë rezultatet e tyre më të mira”, ka përfunduar Isa Merkja.