E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botërori, sot Afrikëe Jugut-MeksikëFrancë-Uruguaj

JOHANESBURG- Kupa e Botës do të startojë me ndeshjen mes Afrikës së Jugut dhe Meksikës, e cila do të zhvillohet në orën 16.00 në stadiumin Soçer City të Johanesburgut. Përpara ndeshjes, trajneri Karlos Alberto Parriera nuk ka përdorur aspak diplomaci në fjalët e tij: “Do të jetë si një luftë, - tha braziliani. – Jemi impresionuar nga mbështetja e tifozëve, jemi të emocionuar. Tifozët besojnë te kjo kombëtare dhe kjo ndeshje inauguruese do të jetë një si tip lufte. Kam luajtur shumë ndeshje dhe në atë hapëse ka gjithnjë shumë tension. është një vend i tërë që na pret”, deklaroi Parriera.
Në krahun tjetër, Meksika ka shumë besim te forca e skuadrës, e cila erdhi me shumë mundime në këtë Botëror. Trajneri Havier Agirre mund të mbështetet te një mbrojtje shumë e fortë dhe te një skuadër që në fushën e lojës është tepër agresive. “Jemi në formë të mirë, morali i skuadrës është i lartë dhe besoj se do të jetë një ditë fantastike për ne”, deklaroi ai.

NE MBREMJE FRANCE- URUGUAJ
Pas Afrika e Jugut-Meksikë do të jetë radha e Francës dhe Uruguajt që të ndeshen me njëra-tjetrën në stadiumin e Kejp Taunit. Trajneri Domenek e ka mbajtur të fshehtë formacionin për takimin e sotëm, duke deklaruar se as Tieri Henri nuk e ka vendin të sigurt. Franca megjithatë është e përfshirë nga probleme të shumta, teksa shtypi shkruan se shumë futbollistë nuk flasin me njëri-tjetrin. Gjelat e nisin Botërorin si jo favoritë, ndonëse 4 vjet më parë arritën deri në finale.
STADIUMET
Botërori i këtij viti do të zhvillohet në 10 stadiume, që në total kanë një kapacitet prej 57 mijë personash. Afrika e Jugut ka investuar 900 milionë euro për stadiumet, ndërsa ende bie në sy se këtij vendi i është dashur të nxitojë për t’i përfunduar punimet në kohë. Stadiumi i Durbanit duket ai më luksozi, me një hark prej 300 metrash dhe një platformë të vendosur në mes, në 106 metra lartësi. Ellis Park i Johanesburgut është në pronësi të skuadrës së regbisë Golden Lions dhe ka qenë teatri i fitores historike të kombëtares afrikano-jugore ndaj Zelandës së Re në vitin 1995. Ai ka formën e një tasi, një enë që gjendet në çdo kuzhinë afrikano-jugore. Simboli i vendit ndërkohë është stadiumi “Nelson Mandela Bay” në Port Elizabeth, i cili ngjan si një lule gjigante. Botërori i këtij viti do të nisë sot dhe do të përfundojë më 11 korrik, me finalen që do të luhet sërish në Johanesburg.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›