Botohet romani i humbur i Saramagos

Romani vjen dy vjet pas vdekjes së shkrimtarit. Saramago, më 1953 dorëshkrimin e romanit që sjell një rrëfim për banorët e një ndërtese në Lisbonë, nëpërmjet një miku të tij ia kishte dërguar për botim shtëpisë botuese “Kaminjo”.
Kjo e fundit asnjëherë nuk do t’i kthente përgjigje. Katër dekada më vonë, kur Saramago u bë njëri prej shkrimtarëve më të shitur bashkëkohorë, “Kaminjo” do ta kontaktonte për ta njoftuar se e kanë gjetur dorëshkrimin e tij dhe janë të interesuar ta botojnë. Por shkrimtari e refuzoi këtë kërkesë dhe i kërkoi shtëpisë botuese që t’ia kthente dorëshkrimin. Ai nuk donte që romani të botohej derisa ai ishte gjallë.
Do të përballej me heshtjen e shtëpisë botuese rreth dorëshkrimit të tij. Saramago për gati 20 vjet nuk do të shkruante asnjë roman duke u fokusuar vetëm në karrierën gazetareske.
“Ka vuajtur shumë pas refuzimit që i është bërë. Ka konsideruar se gjëja më e vogël çfarë kishte pritur, ishte një përgjigje”, ka thënë për AFP-në e veja e shkrimtarit me nam, gazetarja Pilar del Rio, në promovimin e librit të bashkëshortit të saj në Madrid.