E Diel, 1 Nëntor 2026

Botuesit, lavatriçe

Kush kërkon të rehabilitohet nga koha e komunizmit për akuzat që mbërrijnë sot të drejtpërdrejta; kush kërkon të çojë moralin në vend dhe të fshehë cinizmin intelektual, se emri i fundit është njollosur mediatikisht; kush kërkon të luajë tinëz me kartën politike sa majtas-djathtas fshehur pas librit; dhe më keq kush ka qenë viktimë e diktaturës komuniste mund të rehabilitohet nga persekutori sot... e shumë komplekse të tjera që fshihen gjatë një viti, e bëma intelektuale që ndodhin në këtë hark kohor - të jetë i sigurt që tani është ngritur një lavatriçe - me emrin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë. Një çmim dhe si kusur nominimi për të reklamuar emrin si punëbërës i mirë me librin, mbyll gjithë haqet pa ndjerë kurrfarë mëdyshje dhe pa kërkuar asnjëherë, të paktën, reflektim me veten.

Kjo ka ndodhur qysh se botuesit shqiptarë të mbledhur në një shoqatë, përveç çështjeve të biznesit me librin, të shplajnë dhe gjithë të bërat e të pabërat e intelektualëve, dje dhe sot. E parë, fillimisht, si gjë e mirë, ngritja e çmimeve për shkrimtarët, përkthyesit e vitit nga një “institucion” tjetër jashtë konjukturës politike, siç janë Pendat e Ministrisë së Kulturës - këtë vit flet qartë se është më zi se një çmim politik.

Modeli që botuesit e bashkuar shqiptare po ngrenë për vlerësimin e letërsisë dhe autorëve të saj, nuk na vjen të besojmë se po e çojnë lexuesin tek letërsia dhe autorët. Për ironi, botuesit e kanë pohuar dhe vetë se është një çmim që sigurisht ka në bazë biznesin e tyre, shkërmoqur më hollë, që iu duhet të reklamojnë autorët që ata botojnë. Me një bisht të vogël, që nuk pohohet asnjë herë juria, që duket janë vetë botuesit, kështu që është afërmendsh, emrat e autorëve propozohen prej tyre.

Për ta konkretizuar këtë është fare e thjeshtë, mjafton të shohësh se si merren çmimet, kujt i jepen dhe si ndahen. Se si futen lëmsh në një thes të gjithë, ata që shkruajnë poezi e romane etj. Por duke pritur pas kësaj, gjithnjë e më shumë, se kujt interesi po i drejtohen botuesit, ku e kanë shënjestrën?! Kjo është a-ja e tyre pse ndajnë çmimet, ujdia. Botuesit po na tregojnë kështu se kritika është aq naive këtu sa dhe për ta orientuar lexuesin duhet të ndërhyjnë ata, të rekomandojnë librin më të mirë, bestsellerin e vitit. Veç është vështirë t’u besohet se bëhet fjalë për letërsi, përveç asaj që shitet. Madje, dhe çdo gjë kritike të ardhur në media, e etiketojnë direkt “pro” dhe “kundra”, a thua se librat votohen si në Parlament, me të kuqe e blu.

Në Pallatin e Kongreseve, që për dreq kurrkujt nuk po i lind ideja t’ia ndryshojë emrin, infrastruktura e panairit këtë vit ka qenë ndër më e mira në vite. Stendat dhe tavolinat e botuesve kanë qenë mbushur me libra, me një veçanësi të dukshme, - e vetmja vërejtje e ardhur dhe nga shkrimtarët - se kopertinat e librave kanë qenë vërtet cilësore.

Por kaq është mundur të evidentohet. Prej titujve pa fund dhe shumë prej tyre i gjeje sërish, sa në një stendë në tjetrën, shitëset thjesht arrinin të thoshin: këto janë libra, bli! Të njëjtën rekomandim japin dhe botuesit, ndërsa shkrimtarët, ata që shkruajnë për poezi e roman, i mbajnë librat në xhep a në çantë, për të treguar gjithë frikën se kanë nxjerrë diçka këtë panair. Ka dhe nga ata shkrimtarë shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve, që njoftuan se do nxirrnin librat e tyre për panair, por nuk u panë, dhe as morën shpjegim për “pse”-të. Ndërsa libri këtë vit është përdorur si mos më keq. Bombardimi me tituj të rinj, të lënë enkas për panair, ka gjetur pa përgatitur masën e lexuesve se për çfarë bëhet fjalë. Edhe sikur libri të dalë në krye të vitit dhe deri në kohën e panairit të bëjë jetën e tregut, prapë do ta kishte vështirë për të shkuar deri te lexuesi. Duhej ta blije librin symbyllazi, për tre ditë, pa ditur se ç’lëndë ishte.

Pse kjo strategji e botuesve, pse kjo mendje e rrenë për t’i vërshuar librat për shitje në katër ditë që qe hapur panairi?! Hapësira gjigante që të ofronte infrastruktura e re e panairit, e porositur nga Shkupi nga Shoqata e Botuesve, tregoi siç duket falimentimin, mosfunksionim në tregun aq të varfër të shitjeve të librit në kryeqytet. Ndonëse u tha se do të ketë dyndje me autobusë nga rrethet për të blerë librin, thjesht librin pa pasur ide tjetër. Tirana vazhdon ta shfaqë krizën e botimeve, tejngopjen. Ndërsa botuesit vazhdojnë të propagandojnë teoritë e librave të suksesshëm, e shitjeve të kënaqshme.

Një plejadë shkrimtarësh të rinj nuk u dukën gjëkundi, as ai brez që u dogj prej idealeve, ato të viteve ’80, e as brezi i nëntë, ai i Ali Podrimjes nuk u ndjenë. Vazhdojmë të shikojmë se si shiten librat e bulevardit e të sms-ve e si lexues mediokër, që blejnë shtëpinë në kryeqytet me 250 milionë lekë, ende pyesin nëse ka vlerë për t’u lexuar Ismail Kadare. Se të njohin të tjerë nuk bëhet fjalë, sepse botuesit e kanë orientuar tregun tashmë, nga ata që marrin fitime.

Kur në treg bëhen kaq të pabesueshëm, që fshehin dhe nuk inkurajojnë të lexohet dhe përtypet letërsi, botuesit kështu do të shihen dhe në vitet e tjera, sa herë do të ndajnë çmimet e tyre. Ky është modeli i botuesve që u garantojnë autorëve shitjen në treg, dhe jo e kundërta që blejnë shkrimtarë që garantojnë suksesin në treg.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›