E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyrku i rëndë i “pakujdesisë”...

Dhe erdhëm tek Shtëpia e Kongresit të Manastirit. Epo hajde të hipim lart e të shikojmë ngrehinën, ku do të preheshin ashtu solemne e në heshti imponuese, të madhërishmet “dokumente” të Kongresit. Kujdes, na thanë teksa ngjiteshim sipri, mos prekni muret, asgjë përreth, se boja është ende e patharë. Ishte vërtet ashtu. Punëtorë që lyenin, gra që pastronin, të tjerë që kruanin me ksistra mbeturinat e llaçit, një “simfoni” lëvizjesh të përshpejtuara, fytyrash indiferente ndaj nesh. 100-vjetori i Kongresit të Manastirit, çelur më datë 14.11.1908 me nismën e klubit “Bashkimi” të Manastirit, kish kaluar madje edhe një ditë më tutje.

Qyrku i rëndë i “pakujdesisë”...

Falë nismës së drejtuesve të Institutit të Studimeve Albanologjike, një tubë studiuesish të larmive të ndryshme u turavrapën drejt qytetit të Manastirit (Bitolas) të Maqedonisë, ku ish ngjizur, vetjakësuar e kish nusëruar si gjuhë me ABC-në e vet të gjithëpranuar nga dijetarët e mbrothtë të kombit, shqipja jonë e amshuar: “Sa e mira, sa e bukura, sa e ëmbla, sa e dëlira…”. 6 orë rrugë dhe ja ku mugulloi mbi një rrafsh, qark e qark me pyje mbuluar, qyteti i Manastirit. S’kisha qenë ndonjëherë aty, por e dija se në një shtëpi trekatëshe, bash tek kati i dytë, kishin ardhur nga viset e djegura e të etura shqiptare pinjollët e mëdhenj të shpirtit të kombit, ata që do të vinin në vend amanetin e klithmës dëshpëruese, njëherazi trimërore të Petro Nini Luarasit: “Vramëni, vramëni, por mblidhmani gjakun, se do t’iu duhet nipërve tuaj të shkruajnë gjuhën shqipe”. Atë gjuhë që shkruajmë të gjithë ne së toku. Që e duam. E përkëdhelim nëpër fjalë, fjali e fraza. Shkruajmë poezi, romane, tregime, drama. Dhe shkresa. Dhe akte nënligjore. Dhe fjalime të përndezura, zulmë e zhurmë, në fushatat e hazdisura elektorale. Gjithçka: këngën dhe gjëmën. Gjuhën tonë pra, gjuhën e mëmës, që u jep dritë mendimeve... Dhe erdhëm tek Shtëpia e Kongresit të Manastirit. Vetëdija ime ish tejngopur nga vezullimet dhe flakërimet e imazheve të trashëguara, jo dhe pa pakëz trill brenda doemos. Por çfarë? Pse u mpaka e u mrrudha sakaq? Pse nisa të zhurmojë? Përpara derës hyrëse një grumbull mbeturinash, llaç i pambledhur, kuti boje, dërrasa. Dhe do punëtorë me furça në dorë, robenjollosur, në “punë të vet”, si personazhe beketianë, që ecejaknin. Kishim marrë me vete dhe një kamerë. Rituali e kërkonte që duhej vendosur një kurorë me lule në emër të studiuesve (albanologëve shqiptarë), bash aty poshtë mbishkrimit të Kongresit të Manastirit. Dhe siç e desh zakoni, drejtuesit e Qendrës Albanologjike e vendosën kurorën e porositur. Bëmë edhe nga një foto për kujtim, a thënë me shaka midis vedit: “për të hyrë në histori edhe ne”, gjuhëtarë, historianë, arkeologë, etnologë, studiues, rrjedha e qëmoçme e burrave që bënë këtu “të madhen dhe të bukurën gjë”: ABC-në e shqiptarëve. Epo hajde të hipim lart e të shikojmë ngrehinën, ku do të preheshin ashtu solemne e në heshti imponuese, të madhërishmet “dokumente” të Kongresit. Kujdes, na thanë teksa ngjiteshim sipri, mos prekni muret, asgjë përreth, se boja është ende e patharë. Ishte vërtet ashtu. Hipëm në katin e dytë, ku duhej të ishin dhomat muze, por… Punëtorë që lyenin, gra që pastronin, të tjerë që kruanin me ksistra mbeturinat e llaçit, një “simfoni” lëvizjesh të përshpejtuara, fytyrash indiferente ndaj nesh. 100 vjetori i Kongresit të Manastirit, çelur më datë 14. 11. 1908 me nismën e klubit “Bashkimi” të Manastirit, kish kaluar madje edhe një ditë më tutje. Seç ndjeva thellë në shpirt. Sikur m’u rrëzua mbi krye krejt ajo godinë. Diç u rropos në mua. Diç e qenies sime. Qesha me veten dhe të tjerët për të mbuluar hakërrimën. Po ç‘ishte vallë kjo shpërfillje (mos o zot, më ndje, le t’i them “shkujdesje” më mirë dhe jo shpërfillje). Hëm! Jo shpërfillje… ndaj një ngjarjeje kaq madhore, themelvënëse të kombit, se përndryshe haram që jemi shqiptarë dhe mirë bëjnë që na thonë se s’jemi as për vete?! “Një abece për të gjithë shqiptarët dhe si të dojë të jetë – brufullonte në veshin tim zemërata e Fan Nolit – Mjaft abë-cë-ra se është turp!” Turp! Po, po, pikërisht turp. U ndjeva i turpëruar. Sa shumë i turpëruar!... Mirë dikur vonesën na e shkaktonin të tjerët, po sot hala këtij avazi duhej t’i binim? Shqiptarët kanë njerëz në qeverinë e Maqedonisë, ministra dhe një zëvendëskryeministër. Qyrk i rëndë faji, le t’i themi me të butë “pakujdesia”; askush se hedh supeve atë, veç në ta hedhshin dhunshëm. Sepse të gjithë jemi “patriotë”, de. Besa po, patriotë 24 karatësh, veç për të shit mend me koburet në brez. Por historia s’bëhet vetëm me kobure, këtë kush s’e di. “Hë profesor, ç‘bëhet kështu?” – ia ktheva akademikut dhe historianit të njohur Beqir Meta, si për të shprazur ç‘më grricte në shpirt. “Mirë që kanë marrë më në fund dhe godinën nga maqedonasit, i kanë bërë edhe rikonstruksionin, do të bëjnë dhe një muze. Mos ta nënvleftësojmë këtë fakt, s’ka qenë e lehtë për ta besoj” – ma ktheu me politesë. Po pse, pse, dhe prapë pse ish lënë në fund ky dreq rikonstruksioni, kjo dreq lyerje, kjo dreq shtëpie muze (prej “atyre”, prej “këtyre”, prej “nesh” – e ç‘rëndësi kishte)? A mund të shpërfilleshin kaq pa takt ngjarje të dimensioneve epokale si Kongresi i Manastirit? Kush do të guxonte ta bënte një gjë të tillë në një tjetër shtet, edhe më të vogël se ky i yni. Qyrku i zi i fajit (më falni: i pakujdesisë) vjen e varet bash edhe në muret e qeverisë sonë, cilido emër qoftë ai. Sepse shteti-amë ka një përgjegjësi. E ç‘hyjnë në punë spektaklet dhe performancat mediatike para dhjetëra kamerave, me fytyrat e tyre epike, solemne, prindërore, mësimdhënëse. Atje, në qytetin e Manastirit, që maqedonasit i thonë Bitola dhe ku shqiptarët thuajse janë tretur apo kanë braktisur shtëpitë e etërve të tyre, atje ku belbëzoi kryeherit shqipja e shkruar me një ABC të vetën aq të bukur, atje ku mëmëdhetarët qenë mbledhur për t’i dhënë “mbarim kësaj së madhe nevojë për bashkimin e shqiptarëve në një abe”, atje në strehën historike të gjuhës pa muze, pa dokumente, pa firmat e Mit’hat Frashërit, Gjergj Fishtës e ço, atje ku desha të merrja një qafje vllamërie nga historia e ashpër, e përgjakshme e njëherit aq e brylltë, aq lëndonjëse dhe aq e madhërishme e baballarëve tanë të vrarë për gjuhën… bash atje festa mungonte. Kujtesa kish vdekur. Nuk qemë të mirëseardhur. Qemë bishtnuar. Na kishin bishtnuar. Sigurisht, jo njerëzit e thjeshtë e mikpritës të atij qyteti. As ata që ishin mbledhur në një sesion përkujtimor për Kongresin. Lamë kurorën me lule, këtë politesë e brylltësi prej studiuesish që gëzohen veç me germat, dhe u nisëm. Ktheva kokën, shtyrë si nga një mall i largët, ku nostalgjia e librave dhe e historisë së të parëve ende pikonte. Muret dhe dyert e godinës zbardhnin dhe kullonin ende bojë të patharë. Personazhet beketianë ecejaknin me ksistrat dhe furçat e bojës ndër duar. Qe vonë. Festa ish bërë. Dhe në mënyrë të beftë në mendjen time ia behu një tjetër braktisje, tashmë e “bitisur”: Shën Naumi. Pak kohë më parë, teksa Shaban Sinani, studiuesi i njohur i letërsisë dhe ish-drejtor i Arkivit të Shtetit më shpjegonte historinë e dhimbshme të “grabitjes” dhe njëherit “vetëshitjes” së kësaj perle shqiptare nga mefshtësia jonë e pafalshme, sakaq trumba-trumba vinin njerëzit me autobusë dhe vizitonin atë vend të shenjtë. Doemos, s’ishin shqiptarë por maqedonas. Kurse ne, shqiptarët, në vend që të organizojmë pelegrinazhe me nxënësit e shkollave dhe studentët e universiteteve tona në dhomat muze të asaj godine ku u pagëzua e u përhirua ABC-ja, i hedhim vetëdijes si zhgun mugujt e një krenarie të rrëzuar, heshtjen, indiferencën. Dhe mllefin. E pra, ç‘është kjo shkujdesje vrastare? Kush e vesh prej jush atë dreq qyrku, miq pushtetarë “gjithëshqiptarë”, më thoni kush? Quajeni në daç qyrku i Fajit, në daç qyrku i Përgjegjësisë. Doemos, ASKUSH!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›