UJI I BEKUAR: Berat, i njëjti person kap për herë të dytë kryqin
Një vit më parë, 33-vjeçari Edmond Gjeçi ka marrë dy milionë lekë si dhuratë nga besimtarët e krishterë
BERAT- Dita e gjashtë janarit, që simbolizon ditën e shenjtë të "Ujit të Bekuar" përcillet çdo vit në qytetin e Beratit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët e krishterë. E kremtja e Pagëzimit tëZotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, për besimtarët beratas është një prej kremteve më të mëdha të Kishës.
Ceremonia e kësaj dite të shenjtë, si çdo vit, edhe dje filloi herët në mëngjes në Kishën e Shën Spiridhonit në lagjen "Gorricë", ku pasi u kryen të gjitha ritet fetare si leximi i ungjillit, mesha dhe këndimi i ujit të bekuar nga Imzot Ignanti, dhespoti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë. Pas kësaj ai u nis me kryqin në dorë për në lumin Osum ku kryhet edhe hedhja simbolike e kryqit. Disa të rinj nga të gjitha lagjet e qytetit të Beratit, janë hedhur në ujin e ftohtë të lumit për të pritur hedhjen e kryqit nga Imzot Ignanti,dhe çuditërisht edhe këtë vit, kryqi i ditës së Ujit të Bekuar është kapur nga 33-vjeçari Edmond Gjeçi. Për të dytën herë kryqi në Berat është kapur nga një mysliman. Si çdo vit për të riun që kap Kryqin e Ujit të Bekuar, Kisha dhe Mitropolia i dhurojnë në shenjë simbolike 150 mijë lekë të vjetra,dhe ai me kryqin në dorë shkon në çdo shtëpi të lagjeve Gorricë, Mangalem e Kala ku banorët dorovisin kryqin e bekuar që mban në dorë i riu. Edmon Gjeçi, banor i lagjes "30 Vjetori", në qytetin e Beratit, vitin e kaluar, pas kapjes së kryqit ka grumbulluar në shtëpitë e tre lagjeve muzeale të qytetit, rreth dy milionë lekë të vjetra. Ai ka trokitur në dyert e të gjithë besimtarëve të krishterë dhe ka marrë prej tyre si shpërblim shuma të ndryshme parash. Pas hedhjes së kryqit, të gjithë besimtarët e krishterë beratas iu drejtuan sërish Kishës së Shën Spiridhonit, për të mbushur bidonë me ujë të bekuar, të cilin e marrin në shtëpi dhe e mbajnë për gjithë vitin. Për besimtarët, ky ujë shërben për të shëruar shpirtrat dhe trupin,dhe pihet sa herë kur ata janë të sëmurë. Gjatë ceremonisë në Kishë u shpërnda për të pranishmit "buka e zotit", ose e quajtur ndryshe, "Panaie".
POGRADEC
Rreth 10 mijë qytetarë të Pogradecit ishin grumbulluar në breg të liqenit tek moli në qendër të plazhit duke marrë pjesë në ceremoninë e “Ditës së ujit të bekuar”. Rreth orës 12 kanë mbërritur tek moli i qytetit drejtuesit e dy kishave në Pogradec si dhe imzot Johani nga Korça. Në këtë ceremoni merrte pjesë edhe ministri i Financave, Ritvan Bode. Kryqi është kapur nga një nxënës maturant i gjimnazit, 18- vjeçari Altin Vila.
ELBASAN
Edhe në qytetin e Elbasanit është festuar dita e ujit të bekuar, ku ka mbledhur me dhjetëra besimtarë ortodoksë në kompleksin e pishinave At Stavri Cipi dhe at Joani, kanë hedhur kryqin në ujë, e më pas tre djem të rinj janë hedhur për të kapur kryqin. Ka qenë pikërisht 28- vjeçari nga Elbasani, Julian Luli, ai i cili e ka marrë kryqin në ujë. Në këtë ditë bekohen të gjithë ujërat, lumenjtë liqenet dhe detet në të gjithë botën.
KORÇË
Besimtarët ortodoksë të qytetit dhe rrethit të Korçës, kanë kremtuar dje ditën e ujit të bekuar. Edhe pse në mes të shiut, banorë të Korçës u mblodhën para Katedrales së qytetit në pritje të hedhjes së kryqit dhe bekimit të ujit. Për këtë vit, kryqin e hedhur në ujë e nxori 25 -vjecari Olger Lena nga qyteti i Korçës. Në shenjë mbarësie, qytetarë të shumtë korçarë mbushën ujë të bekuar pas hedhjes së kryqit.
DURRËS
Dhjetëra besimtarë durrsakë kanë marrë pjesë dje paradite në ceremoninë e hedhjes së kryqit në ujë, që sipas besimit ortodoks simbolizon pagëzimin e Jezusit. Meshën që u zhvillua në kishën e “Shën Astit” dhe “Shën Pavlit” e drejtoi hirësia e tij At Nikolla. Mes tre të rinjve, që u hodhën në ujërat e ftohtë të Adriatikut, fati i buzëqeshi 15- vjeçarit Dhimitër Xhimitiku, i cili e vlerësoi këtë si “bekim të Zotit”.