E Diel, 1 Nëntor 2026

Bozdo: Qeveria të ndërhyjë me paketa ekonomike për përballimin e rritjes së çmimeve

TIRANË, 14 maj /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, kërkoi në Kuvend ndërhyrje të menjëhershme të Qeverisë shqiptare për përballimin e rritjes së çmimeve, të shkaktuara sipas tij nga situata e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe ndikimi i saj në tregjet ndërkombëtare.

Gjatë interpelancës në Kuvend, të kërkuar me ministrin e Financave, Petrit Malaj, Bozdo deklaroi se rritja e çmimeve të karburanteve, plehrave kimike dhe produkteve ushqimore po ndikon drejtpërdrejt në shtrenjtimin e jetës së qytetarëve dhe në vështirësitë e sektorit ekonomik e bujqësor.

“Qeveria shqiptare nuk ka ndërmarrë asnjë plan konkret ndihme, ndërkohë që vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Evropian kanë reaguar me vendosmëri dhe shpejtësi”, u shpreh Bozdo.

Deputeti demokrat theksoi se nuk po diskutohet shkaku i rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, por masat që duhet të marrë Qeveria shqiptare për të mbrojtur ekonominë dhe qytetarët.

Ai ngriti pyetjen nëse qeveria planifikon paketa ekonomike dhe fiskale, të ngjashme me ato të vendeve të tjera të rajonit dhe BE-së, duke përmendur se çmimi i karburanteve është rritur me 30%, ai i plehrave kimike me 40%, ndërsa produktet bazë ushqimore me mbi 30%.

Bozdo deklaroi gjithashtu se qeveria shqiptare po përfiton financiarisht nga rritja e çmimeve përmes të ardhurave shtesë në buxhet.

“Qytetarët shqiptarë pyesin pse duhet të paguajnë TVSH të plotë për bukën dhe qumështin, ndërkohë që vende si Spanja e kanë bërë zero, Austria e ka përgjysmuar dhe Rumania aplikon kuponë ushqimorë”, tha ai.

Në përfundim, Bozdo theksoi se qytetarët presin masa konkrete në mbështetje të ekonomisë familjare dhe sektorit prodhues.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›