Koçiu: Qytetarët e Rrjollit t’i ndjekin pretendimet në rrugë ligjore, askush nuk fiton nga përplasjet

TIRANË, 14 maj/ATSH-Maela Marini/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi sot në Kuvend se pretendimet e individëve të pronës në Rrjoll të Shkodrës duhet të trajtohen nga institucionet përgjegjëse dhe nga gjykatat.
Koçiu iu përgjigj në Kuvend interpelancës së kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri mbi protestat e banorëve të fshatit Rrjoll në Shkodër, të cilët pretendojnë se u janë vjedhur pronat.
Së pari Koçiu theksoi se qytetarët meritojnë qartësi, seriozitet dhe përgjegjësi institucionale.
“Kjo në fakt është një çështje e cila patjetër prek edhe të drejtat e pronësisë dhe marrëdhënien e shtetit me ligjin, zhvillimin ekonomik të vendit dhe turizmin. Të gjitha këto janë pa diskutim të lidhura sepse janë mënnyra se si zgjedhim të ndërtojmë të ardhmen e Shqipërisë”, shtoi Koçiu.
Së pari Koçiu theksoi se nuk do ta përdorë foltoren e Kuvendit për të hedhur baltë, etiketime apo sulme politike ndaj individëve, qytetarëve apo sipërmarrësve.
“Nuk besoj se kjo i shërben të vërtetës, as qytetarëve dhe mbi të gjitha nuk besoj se i shërben seriozitetit që duhet të ketë ky Kuvend kur diskuton çështje me interes publik. Është shumë e lehtë të krijosh dhunë dhe sharje, të ndërtosh teori dhe të bësh akuza”, shtoi zv/kryeministrja.
Duke iu referuar protestës së banorëve të Rrjollit, Koçiu theksoi se është e rëndësishme të mos ngatërrohen në këtë pikë dy çështje të ndryshme.
“E para patjetër është politika e zhvillimit ekonomik dhe turistik të vendit dhe e dyta janë pretendimet e individëve të pronës të cilët patjetër do të duhet të trajtohen nga institucionet përgjegjëse dhe nga gjykatat”, shtoi Koçiu.
Sipas Koçiut, për një shtet demokratik, qeveria nuk mund të zëvendësojë gjykatat.
“Qeveria nuk vendos me deklarata politike mbi pronësinë, nuk merr rolin e prokurorit e gjykatësit apo të ekspertit për çdo konflikt civil”, shtoi Koçiu.
Sipas saj, “koha kur politika vendoste me telefon se kush kishte të drejtë dhe kush jo ka marrë fund”.
“Sot Shqipëria funksionon mbi bazën e institucioneve, të ligjit dhe të ndarjes së pushteteve ndaj dua ta them qartë. Çdo qytetar që pretendon cenim të pronës së tij ka të drejtën kushtetuese ta ndjekë në rrugë administrative dhe gjyqësore dhe çdo institucion shtetëror ka detyrimin të respektojë vendimet e institucioneve kompetente”, shtoi Koçiu.
Ky, sipas saj, “është themeli i shtetit të së drejtës”.
“Nëse sot dikush mendon se zgjidhja është që qeveria të dalë dhe të vendosë vetë se kujt i takon prona, atëherë nuk do të flisnim më për shtet ligjor e aq më tepër për demokraci. Kjo do të ishte kthim pas dhe Shqipëria nuk kthehet më pas”, tha Koçiu.
Koçiu siguroi se të gjitha procedurat që lidhen me këtë projekt janë ndjekur në përputhje me legjislacionin në fuqi, suke nisur nga verifikimi i dokumentacionit të pronësisë, tek procedurat administrative, leja e ndërtimit, ndërveprimi me institucionet përgjegjëse.
“Çdo gjë është trajtuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe është njohur e gjitha përmes vendimeve të Gjykatave. Ky është një fakt dhe në një shtet demokratik vendimet e gjykatave respektohen edhe kur ka debat publik, edhe kur ka tension politik, edhe kur ka qëndrime të ndryshme”, shtoi Koçiu.
Sipas saj, çdo vendim gjykate nuk mund të zëvendësohet nga presioni politik apo edhe mediatik, pasi kjo do të shënonte fundin e shtetit të së drejtës ligjore.
Duke u ndalur te zhvillimi ekonomik i Shqipërisë, Koçiu theksoi se “për vite me radhë kemi dëgjuar se veriu duhet të zhvillohet, duhen investime, duhet punësim, duhet infrastrukturë, duhet ekonomi moderne”.
“Por sa herë që lind një projekt zhvillimi ngrihet menjëherë e njëjta filozofi. Jo këtij projekti, jo këtij investimi, jo këtij zhvillimi. Rrjolli, Shëngjini, veriu i Shqipërisë kanë potencial të jashtëzakonshëm natyror dhe ekonomik dhe detyra jonë si qeveri është që ky potencial të mos mbetet vetëm një kartolinë e bukur, por që kthehet në zhvillim real në ekonomi, në vende pune, në mundësi për komunitetin lokal, në perspektivë për të rinjtë”, tha Koçiu.
Vendet e rajonit, sipas saj, po investojnë për të tërhequr ekonomi moderne dhe turizëm cilësor.
“Shqipëria nuk mund të mbetet jashtë kësaj gare. Shqipëria nuk duhet të zgjedhë midis zhvillimit dhe ligjit. Duhet të eci paralelisht tek të dyja. Shqipëria duhet të garantojë njëkohësisht zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e pronës private, transparencë dhe mbi të gjitha zbatimin e ligjit. Këto nuk janë dy rrugë të kundërta por janë rrugë që ecin paralelisht”, u shpreh Koçiu.
Lidhur me çështjen e Rrjollit, Koçiu qartësoi se zona ku shtrihet projekti është pjesë e një territori të mbrojtur nga konventa “Ramsar”, por kjo konventë nuk parashikon ndalim absolut të zhvillimit.
“Ajo kërkon që zhvillimi të jetë i kontrolluar i vlerësuar dhe në përputhje mes standardet mjedisore. Pikërisht kjo është ndjekur edhe në këtë rast. Institucionet përkatëse kanë kryer vlerësimet dhe procedurat sipas legjislacionit në fuqi për të garantuar mbrojtjen e karakterit natyror dhe ekologjik të zonës”, tha Koçiu.
Lidhur me pretendimet për dhunë nga ana e Policisë së Shtetit, Koçiu siguroi se Policia e Shtetit ka qenë në terren, ka kryer detyrën e saj për të parandaluar shkallëzimin e situatës dhe për të garantuar rendin publik.
“Ka pasur tension, ka pasur përplasje, ka pasur dhe dëmtime. Ndërhyrja e policisë ka bërë të mundur që situata të mos dalë jashtë kontrollit dhe për këtë patjetër meriton respekt dhe mbështetje. Dua këtu edhe t’i bëj një thirrje qytetarëve që pretendimet e tyre t’i ndjekin në rrugë ligjore dhe institucionale. Askush nuk fiton nga tensioni, askush nuk fiton nga përplasja, askush nuk fiton nga nxitja politike”, tha Koçiu.
Sipas saj është shumë e lehtë të bësh politikë me zhurmë dhe shumë e vështirë të mbash përgjegjësi për zhvillimin e vendit.
“E kemi zgjedhur të gjithë bashkërisht rrugën e përgjegjësisë për një Shqipëri që zhvillohet, që respekton ligjin, për një Shqipëri që tërheq investime serioze, që ndërton ekonomi moderne dhe patjetër për një Shqipëri që ecën përpara dhe jo pas”, tha ajo. /j.p/