Bozdo: SPAK të hetojë aferën e TEC-eve lundruese në Vlorë

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, njëherësh nënkryetar i Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, i cilësoi sot si aferë korruptive të qeverisjes socialiste, TEC-et lundruese “Tigri 1 dhe 3”.
Përmes një deklarate për mediet nga kryesia e Kuvendit, Bozdo iu referua vendimit të 3 shtatorit 2026 të Bordit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), i cili sipas tij, refuzoi rilicencimin e dy TEC-eve dhe pezulloi procedurën.
Gjithashtu sipas Bozdos, TEC-et kanë operuar pa leje të vlefshme mjedisore.
“Për një kapacitet të pretenduar prej 110 MW, përgjatë dy viteve të fundit janë prodhuar gjithsej vetëm rreth 109 mijë MWh”, deklaroi Bozdo, duke shtuar se kostoja e energjisë së prodhuar ka qenë rreth 163 euro për MWh, sipas të dhënave të KESH-it.
Bozdo tha se për prodhimin e kësaj sasie energjie janë konsumuar mbi 25 mijë tonë karburant të rëndë, me një kosto prej më shumë se 18 milionë dollarësh. Sipas tij, kjo e çon faturën totale të projektit në rreth 83 milionë dollarë.
Gjatë fjalës së tij, Bozdo u ndal edhe tek hapja nga KESH të një tenderi të ri, me vlerë rreth 20 milionë euro, për operimin dhe mirëmbajtjen e TEC-eve lundruese për dy vitet e ardhshme.
“Ne i kërkojmë SPAK-ut të zgjohet nga letargjia dhe të sekuestrojë menjëherë të gjithë praktikën shkresore, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deri te KESH-i. Kërkojmë anulimin e menjëhershëm të tenderit të ri prej 20 milionë eurosh për dy anije që as nuk lejohen të punojnë ligjërisht. Dhe kërkojmë publikimin e plotë dhe të menjëhershëm të çdo kontrate të fshehur pas termit mashtrues të “sekretit tregtar””, tha ai.
/m.q/a.f/