E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe, Ramës: Po gabon, unë s’e shes partinë time

TIRANE- Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erjon Braçe me anë të një komenti të publikuar dje në rrjetin social të “Facebook” ka deklaruar se kreu i PS, Edi Rama gabon kur aludon se mandati i 5-të në Berat u humb për shkak të mosmarrveshjet mes deputetëve.

Unë nuk e kam shitur dhe nuk e shes partinë time kryetar! Sot (dje) në Berat, me dyer të mbyllura, Kryetari i PS ka apeluar bashkim në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë. Por duke bërë një gabim të madh: ka marrë si shembull zgjedhjet politike të vitit 2009; faktin që PS mbeti shumë pak vota larg mandatit të 5-të; duke gjetur si shkak mosmarrveshjet mes deputetëve, një histori traktesh duke aluduar përgjegjësinë për mua. Natyrisht kjo është akuzë e re, e fundit që degjoj. Më parë kam dëgjuar: Erjon Braçe luftoi kundër G99; Erjon Braçe vodhi votat e G99 në Berat; Erjon Braçe bëri listë personale deputetësh. Meqë në atë sallë nuk kisha asnjë mundësi, po tentoj të përgjigjem shkurt publikisht:
Kryetar!
Votat në Berat u shitën dhe u vodhën. Po po, u shitën e u vodhën dhe kjo është arsyeja përse PS nuk arriti të marrë mandatin e 5-të atje. Jam lodhur duke ta thënë e madje jam lodhur duke ta shpjeguar, me numra konkretë, fakte e prova. Madje madje, kam ende një raport të një matematicieni që ma dhatë ju e ku sipas tij provohet se në Berat ka ndodhur tamam kjo: shitja dhe vjedhja e votës! Madje duket qartë rrethi ku ka ndodhur kjo. E kam ndjerë për detyrë ndaj partisë të jap spjegime; e kam bërë këtë me ju personalisht, me keni thënë që kam të drejtë; e kam bërë në kryesi, kolegët më kanë dhënë të

rejtë; e kam bërë këtë në Asamble e Kongres, të gjithë më kanë dhënë të drejtë, nuk ka patur një të vetëm të japë argumenta të tjerë, të ndryshëm; e kam bërë kudo me socialistë, me shpirt e zemër dhe kam thënë fort: UNË AS E VJEDH E AS E SHES PARTINË TIME. Ndaj ata më kanë votuar më shumë se kushdo. Por, kjo e sotmja (djeshmja) nuk më ve mua në dyshim. Aspak! Kjo e sotmja (djeshmja) rrëzon kauzën e pas zgjedhjeve të vjedhura të vitit 2009-të, të demonstratave, grevës së urisë, etj. Të dyja nuk mund të jenë të vërteta; ose është e vërtetë se ne zgjedhjet i humbëm dhe përgjegjësi jam unë (këtu do ju duhet të shpjegoni 17 mijë vota më shumë që kemi marrë); ose është e vërtetë se zgjedhjet u shitën e u vodhën. Zgjidhni vetë: në njërën mund të rezultojë t’i kërkosh ndjesë Sali Berishës; në tjetrën...lere fare, u mësova tani, fundi është, s’ke pse më adresohesh mua me ndjesë.

FUSNOTE:
Kjo më poshtë është pjesë e shpjegimeve të mia në Asamblenë e PS në Mars 2010, pasi akuzat ishin maisur, por në mundësinë e parë për të folur në parti thashë këto:
Siç ju e dini, Berati është një nga zonat kyç të manipulimit zgjedhor, deformimit dhe vjedhjes së votës. Mjafton t’ju tregoj se PD “rrëmbeu” mandatin e tretë duke kaluar kufirin numerik vetëm me 107 vota kur të pavlefshme jane “prishur” mbi 3000 vota. Pa folur për votat e devijuara qëllimisht nga tregtarët elektoralë, nga PS tek PD vetëm me procesverbal. Pa shkruar e rradhitur ende asnjë nga problemet kombëtare nxjerrë në dritë nga Ruzhdija. Është një histori e tërë e korrupsionit politik dhe elektoral ku spikat një ofiqar i PS, i korruptuar deri në grykë, i cili, me votat e PS bleu lirinë e tij për një faj të rëndë penal; por edhe ambicies së padenjë e të pafre të një ofiqari tjetër të PS për t’u bërë deputet, përkthyer në një betejë të ndyrë kundër kandidatit të listuar i 5-të në listën e PS; histori e cila, tani ka filluar të shfryjë me emër e mbiemër në çdo cep të Beratit. Mbetet ende e pazbardhur për shkak të filmit të zi të skanimit të fletëve të votimit, nxirrë qëllimisht, si garancia për tregtarët e votave. Përballë të vërtetës, prej 6 muajsh, ka një alibi, e cila u formulua në Tiranë nga socialistë në nevojë për betejën orale ndaj Edi Ramës, u amplifikua nga Sali Berisha për të shpëtuar fitoren e vjedhur, duke shfrytëzuar ekstremisht cekësinë e një politfëmije të pakënaqur nga pafuqija e tij elektorale: PS në Berat nuk humbi sepse Sali Berisha vodhi votat por sepse Erjon Braçe luftoi dhe i vodhi votat G99; sepse Erjon Braçe bëri listën e deputetëve! Asnjëra e vërtetë:
- G99 ka marrë në Berat 3324 vota;
- Mandati i katërt nga PS është fituar me 11141 vota;
- G99 për të fituar mandatin e katërt të PS duhet të kishte 5570 vota, pra unë i bie të kem vjedhur 2146 vota, më shumë se 75% të votave të marra nga G99!
- PS për të marrë mandatin e 5-të i duheshin diçka më shumë se 150 vota;
- G99 për të marrë mandatin e pestë të PS i duheshin 4456 vota,
pra unë i bie t’i kem vjedhur 1132 vota, më shumë se 33% të votave të marra nga G99!
Po përse duhet ta beja këtë kur çdo votë e G99 shumë larg pragut për të marrë deputetin e PS, llogaritej si votë për PS?
- Lista e kandidatëve për deputetë të PS në Berat ishte një listë nga më të konsultuarat, e balancuar, përfaqësuese, përfshirëse. Ajo ka qenë personale e Erjon Braçes sa ç’ka qenë personale e cilitdo përgjegjës Qarku, anëtari Kryesie duke përfshirë dhe kryetarin e partisë! Lista mund të gërvishet tani, nën dritën e problemeve banale dhe amorale të brendshme por nuk ka patur asnjë ndikim negative në zgjedhje!
Në fund, dua t’ju pyes: a mund të sulmohet, akuzohet anëtari i kryesisë përse mblodhi vota për partinë ku bën pjesë? Kam 6 muaj që bashkë me ju luftoj për të njëjtën kauzë, atë të transparencës së votave dhe zgjedhjeve të lira kundër Sali Berishës, ndërkohë që nga këtu, direkt e tek Berisha dhe më tutje në Berat luftohem si hajdut i zgjedhjeve! Rezultatet që Berisha i caktoi PS në Berat mbetën më të mirat e 18 viteve pluralizëm, vetëm në 1997 kanë qenë edhe më të mira; pra bilanci elektoral tregon se në Qarkun e Beratit PS ka marrë 17485 vota më shume se PD; PS ka 3073 vota më shumë se koalicioni Berisha-Meta; koalicioni ynë, i mbështetur tek votat e PS ka 8247 vota më shumë se koalicioni Berisha-Meta!
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›