Basha: Do t’i japim fund grabitjes së pronave
Në nderim të kujtimit të Baba Dede Reshat Bardhit, Basha anulloi dje të gjitha takimet e fushatës. Ai i shprehu ngushëllimet familjarëve, miqve dhe besimtarëve bektashinj, për humbjen e njeriut dhe udhëheqësit të tyre të dashur
TIRANË Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, bashkëbisedoi gjatë të dielën me banorë të njësisë numër 9. Gjatë takimit, banorët janë shprehur se një problem në këtë njësi mbetet strehimi e punësimi. “Nuk ecën kurrë dot këtu, ka mungesa parkimi”, - tha një banor, ndërsa një tjetër u shpreh se kishte mbyllur biznesin në pamundësi për ta vijuar. “Ne do t’i përvishemi punës, që ti ta rihapësh përsëri dhe të marrësh prap njerëz në punë. Do ulim taksat dhe do të japim të gjitha mundësitë”, - u shpreh Basha. Banorët e kësaj lagje folën edhe për mungesat e shërbimeve në jetën e tyre. “Kemi rrugën ‘5 maji’ që s’ka shkollë, kemi rrugën ‘Besa’ që s’ka shkollë, kemi rrugën ‘Jordan Misja’ që nuk kemi shkollë”, - tha një prej mësueseve të zonës. Nga ana tjetër, banorët autoktonë kërkuan zhvillimin e lagjeve dhe garanci për pronat e tyre. “Të siguroj që grabitjes së pronave do t’i japim fund njëherë e mirë”, - tha Basha, i cili bashkëbisedoi me ta për një formë të re menaxhimit të pronës private dhe rifitimit të hapësirave publike. Edhe në këtë njësi, Basha ka marrë falënderime nga banorët për heqjen e vizave, që mundësoi që ata të shohin fëmijët e tyre pas shumë vitesh. “Kam shkuar tek vajza pas 17 vjetësh. Ju falënderoj shumë”, - i tha Bashës një e moshuar, në ditën e nëntë të bashkëbisedimit të tij me banorët e kryeqytetit. Ndërkohë dje, Lulzim Basha anuloi të gjitha takimet e fushatës, në nderim të kujtimit të Baba Dede Reshat Bardhit. Ai i shprehu ngushëllimet familjarëve, miqve dhe besimtarëve bektashinj, për humbjen e njeriut dhe udhëheqësit të tyre të dashur, Baba Dede Reshat Bardhi. Lulzim Basha ka një vlerësim të veçantë për personalitetin e kreut të komunitetit bektashi në vend, për veprën e tij dhe për anën e tij njerëzore. Për pasojë, dje ai mori pjesë në ditën e ngushëllimit, dhe dha mesazhin e tij për të afërmit dhe besimtarët bektashinj. Basha është rritur në të njëjtën lagje, ku edhe banonte Baba Dede Reshat Bardhi, në kohën kur feja dhe besimi ishin të ndaluara në Shqipëri. Për këtë arsye, ai ruan kujtime mjaft të mira për urtësinë dhe maturinë që shprehte gjithnjë Baba Dede Reshat Bardhi.