E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Po shkohet në zgjedhje të parakohshme. Patozi: Nuk u trembemi

Deklaratat Deputeti i PS komenton nisjen e fushatës nga dy partitë në pushtet. Sfidon kreu i deputetëve të PD

Sinjalet e dy partive kryesore qeverisëse, PD dhe LSI, për nisjen e fushatës së zgjedhjeve lokale të vitit 2011 lexohen ndryshe nga Partia Socialiste. Në të kundërt me deklaratat e Sali Berishës dhe Ilir Metës, deputeti socialist Erjon Braçe mendon se dy partitë që së bashku qeverisin vendin, në fakt po shkojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Diçka të tillë nuk e përjashton as Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi.

Braçe

Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja që ka gjetur kjo mazhorancë në vend të përballjes me të vërtetën e zgjedhjeve të 28 qershorit, atë të manipulimit të gjerë të votave. Në një prononcim për gazetën “Shqip”, deputeti i PS-së, Braçe, tha se deklarimet e dy ditëve të fundit, ku shpallen objektiva dhe nisje turesh, janë shenjë e zgjedhjeve të parakohshme. Madje, sipas tij, si Berisha ashtu edhe Meta kanë zbritur të paktën prej një muaji në bazën e partive që drejtojnë, duke shtruar opsionin e zgjedhjeve të parakohshme. “Po bëhen spastrime të mëdha në administratë. Së pari, në mënyrë që të zbatohet ajo pjesë e marrëveshjes PD-LSI. Ndërsa Berisha, nga ana tjetër, po largon kryesisht ata njerëz që nuk kanë qenë shumë aktivë në fushatë për t’i zëvendësuar me njerëz më të besuar”, tha Braçe. Gjithçka sipas tij vjen për shkak të moszgjidhjes së krizës, për të cilën ai tha se nuk është faji i socialistëve. Braçe arsyetoi se në këtë pikë, kur shihet se zgjidhje nuk ka, Berisha dhe Meta kanë gjetur një tjetër zgjidhje, që ka edhe një kosto më të ulët. “Kjo zgjidhje është zgjedhjet e parakohshme, pasi është më mirë për ta se sa të përballen me zhveshjen që do u shkaktojë e vërteta e zgjedhjeve të 28 qershorit”, nënvizoi deputeti socialist. Ndër të tjera ai sqaroi se PS-ja kërkon që të bëjë një herë transparencën e zgjedhjeve, pastaj të shkohet drejt zgjedhjeve të parakohshme, edhe në rastin kur Berisha nuk dëshiron ta lejojë këtë gjë. Transparenca që ne kërkojmë nuk ka lidhje me ndarjen e pushtetit, por ka lidhje me faktin që duhet t’i jepet fund një herë e mirë manipulimeve të zgjedhjeve dhe garantimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha Braçe.

Patozi

I ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në “News 24”, Astrit Patozi deklaroi dje se mazhoranca nuk ka frikë nga ballafaqimi në zgjedhje, qofshin këto edhe të parakohshme. I pyetur për këtë mundësi, Patozi theksoi se “nuk mund të them se çfarë do të ndodhë pas gjashtë muajsh apo pas një viti. Nuk i përjashtoj zgjedhjet e parakohshme por as nuk i parashikoj dot. Di të them se në axhendën politike të kësaj mazhorance, zgjedhjet parlamentare janë në vitin 2013. Patozi këmbënguli se Partia Demokratike nuk i është trembur zgjedhjeve dhe se ka rezultuar fituese në të gjitha proceset. “Nuk ja përtojmë zgjedhjeve. Mënyra se si po mbahet peng PS është një tentativë për ta nxjerrë jashtë sistemit dhe jashtë zgjedhjeve lokale që po trokasin”, theksoi Patozi. Në ditët e fundit, Berisha dhe Meta kanë dhënë deklarata që lidhen me fillimin e një fushate. Ditën e diel, në një takim në Lezhë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, shpalli objektivin e kësaj partie. Meta u shpreh se LSI-ja synon fitoren në 20 bashki, 1500 këshilltare dhe 100 komuna. Por në një takim në Lushnjë theksohet se “LSI-ja ka filluar punën për përgatitjen e një platforme për përmirësimin e Kodit Zgjedhor, duke riparuar defektet e vëna re gjatë zgjedhjeve të 2009-s”. Ndërsa Kryeministri njoftoi ditën e hënë fillimin e një serie takimesh në mbarë Shqipërinë, të cilat, sipas tij, nuk do të kenë të sosur.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›