METE: Ligj për kursimin e energjisë elektrike përmes ndërtimit
Përdorimi i energjisë elektrike për ngrohje lidhet ngushtësisht me cilësinë e nderimit të banesës apo ambientit të punës. Për këtë qëllim, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës mendon se hartimi i një ligji për eficencën e energjisë përmes ndërtimit do t’i shërbejë qëllimit të kursimit. Projekti do të realizohet me ndihmën e donatorëve, kryesisht të KfW-së, e cila ka dhënë mbështetjen e plotë për hartimin e projektligjit.
Pikërisht eficenca e energjisë në ndërtesat publike ishte tema e seminarit që u mbajt dje në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në bashkëpunim me bankën gjermane KfW.
Seminari u hap nga zëvendësministri Leonard Beqiri, i cila tha se METE është duke përgatitur ligjin për eficencën e energjisë, bazuar në direktivën 2006/32/EC të Bashkimit Europian. “Ne jemi duke bashkëpunuar ngushtë me donatorët, përfshirë KfW për përfundimin e këtij ligji në përputhje me zhvillimin e sektorit energjetik në vend”, u shpreh zv.ministri Beqiri, sipas të cilit, eficenca e energjisë lidhet ngushtë me reduktimin e humbjeve dhe konsumit të energjisë, çka dhe është një angazhim i qeverisë në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare për mbrojtjen e klimës e protokollin e Kyotos. Beqiri theksoi se plani i veprimit për eficencën e energjisë përcakton masa të qarta që duhen ndërmarrë në vitet e ardhshme dhe për të cilat METE është plotësisht e angazhuar, ndërsa theksoi se shembuj më domethënës në eficencën e energjisë janë ndërtesat publike. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Taulant Musabelliu, theksoi rëndësinë e eficencës së energjisë. Ai tha se tashmë është hartuar dhe Plani Kombëtar për Energjinë. Për eficencën e energjisë folën edhe përfaqësues të KfW-së, si Paulwitz dhe Drillisch, të cilët theksuan bashkëpunimin shumë të mirë me qeverinë. Ato theksuan gjithashtu se KfW ndërmjet këtyre nismave përpiqet të mbështesë zhvillimin ekonomik të vendit.
#