E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harta me tetë oazet periferike të hashashit

Mbikëqyrje dhe fotografi me helikopter për zonat e dyshuara të kultivimit

Sezoni i mbjelljes së hashashit ka bërë që policia të evidentojë gjithë zonat problematike, ku mund të kultivohet kanabis dhe ka përgatitur një plan masash për parandalimin e këtij fenomeni. Si çdo vit, muajt mars dhe prill janë koha më e mirë për mbjelljen e kanabisit, kështu që policia ka marrë një plan masash për parandalimin e këtij fenomeni, që është shpërndarë në të gjithë drejtoritë e policisë në qarqe dhe është kërkuar zbatim rigoroz, me qëllim uljen e nivelit të kultivimit të kanabisit në Shqipëri. Sipas policisë, pothuajse në të gjithë Shqipërinë ka zona problematike dhe tashmë ato janë identifikuar dhe do të mbahen nën kontroll. Megjithatë, ato më problematiket mbeten në katër qarqe, siç është Gjirokastra, Vlora, Fieri dhe Shkodra. Nga ana tjetër, nuk lihen mënjanë Durrësi dhe Burreli.

Prandaj këtë vit është hartuar dhe do të zbatohet një plan-veprimi i posaçëm “Për parandalimin, organizimin e punës dhe kryerjen e operacioneve policore për identifikimin, asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të kultivimit”, në zbatim të të cilit vëmendja e policisë do të përqendrohet edhe në sensibilizimin e njerëzve. Sipas të dhënave, fillimisht është urdhëruar ngritja dhe funksionimi i shtabeve në qarqe, të cilat do të drejtohen nga prefektët dhe do të përfshihen në këtë aktivitet të rëndësishëm në të gjitha strukturat e administratës publike, në mënyrë të veçantë të organeve të qeverisjes vendore dhe të zgjedhurve të tyre. Sipas policisë, tashmë është kryer vlerësimi dhe analizimi i situatës në çdo qark dhe në përputhje me këtë analizë, janë përgatitur planet e veprimit me detyra të detajuara në shkallë qarku e rrethi.

Por, veç strukturave civile, me urdhër të drejtorit të përgjithshëm është kërkuar rritja e efikasitetit për të gjitha strukturat e policisë, sidomos të atyre të luftës kundër krimit, që do merren drejtpërdrejt me vlerësimin e parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike si një aktivitet shumë i rëndësishëm. Në planin e masave, sipas të dhënave policore është kërkuar edhe informimi në mënyrë periodike, sipas hierarkisë së strukturave të policisë, si dhe drejtuesit e lartë të nivelit politik, për ecurinë dhe problematikën e konstatuar gjatë zbatimit të këtij plani. Një tjetër pikë e rëndësishme ka të bëjë me sensibilizimin e opinionit publik për të parandaluar e goditur fenomenin e kultivimit të bimëve narkotike, duke bashkëpunuar për këtë qëllim me institucionet e administratës publike, shoqërinë civile, mediat elektronike e të shkruara, si dhe me komunitetin.

Sipas të dhënave, mbi bazën e përvojës së viteve të kaluara janë përgatitur hartat e zonave prioritare, ku është kultivuar kanabis, për të përqendruar më shumë vëmendjen e shërbimeve të policisë për parandalimin e mbjelljes së bimëve narkotike. Gjithashtu është përgatitur infrastruktura për bashkëpunim me institucionet e tjera që përfshihen në këtë aktivitet parandalues për sigurimin e monitorimin e vazhdueshëm ajror, për identifikimin e atyre sipërfaqeve të kultivuara me bimën narkotike, ku policia nuk mund të depërtojë me informacione apo me personel, për shkak të vështirësive që paraqesin territore të veçanta të kultivimit. Ndërsa në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë do sigurohet informacion për të gjitha licencat e lëshuara nga ky institucion për kultivimin e kërpit industrial. Veç këtyre do të kërkohet edhe mbështetje nga organizmat ndërkombëtarë për fushatën sensibilizuese për përgatiten e reklamës së nevojshme televizive, posterave dhe fletëpalosjeve për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Sipas policisë, fenomeni i kultivimit dhe për më tepër parandalimi i tij nuk është thjesht dhe vetëm problem policor, pasi kjo çështje mbart në vetvete dhe përcaktohet nga shumë faktorë të tjerë socialë dhe ekonomikë, të cilët shpeshherë mund të shndërrohen edhe në faktorët përcaktues që mund të ndikojnë në përhapjen apo në parandalimin e këtyre fenomeneve. Natyrisht që veprimtaria e policisë ka konsistuar dhe do të konsistojë edhe në të ardhmen në parandalimin dhe mbajtjen nën kontroll të këtij aktiviteti kriminal, kryesisht nëpërmjet goditjes dhe penalizimit të autorëve të kryerjes së veprave penale. Nga mbledhja e Shtabit Qendror të Luftës Kundër Kultivimit, do të përgatitet një informacion për organet eprore dhe do të monitorohen strukturat qendrore dhe vendore të policisë, për vlerësimin e plotë të detyrës, gjatë fazave të zbatimit të plan-veprimit, për të mos lejuar neglizhencë të strukturave të policisë dhe atyre të pushtetit vendor, për vlerësimin dhe parandalimin e fenomenit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›