Brace falje qytetareve te Policanit
Ministri i Mbrojtje, Arben Imami i është përgjigjur akuzave të deputetit të PS-së Erjon Braçe gjatë inspektimit në Kombinatin Mekanik Ushtarak të Poliçanit.
“Si ka mundësi që një deputet që ka kaq vite në Parlament dhe që është i shkolluar në këtë fushë të bëjë gabime të tilla, të thotë që ky Kombinat që është krijuar vite më përpara për prodhim, nuk mund të prodhojë dhe nuk duhet të prodhojë se nuk ka liçencë, për më tepër që është i licensuar. Pra këto gabime vijnë sepse z. Braçe nuk do ta shohë realitetin në sy sepse e ka pushtuar urrejtja se ashtu siç gënjen hapur për çmimet e shitjes së mortajave, siç gënjen hapur për shitjen e TNT e kështu me radhë. Z. Braçe ka një shans t’i kërkojë falje qytetarëve në Poliçan”, vuri në dukje ministri Imami.
Gjithashtu, Ministri i Mbrojtjes vlerësoi rëndësinë që ka ky kombinat për familjet që jetojnë e ushqehen me të ardhurat nga puna në të.
“Duhet të kuptoni që 400 familje të Poliçanit ushqehen me këtë kombinat. Rendimenti i punës në Uzinën e Mjekësit ka qenë më i lartë, ndërsa këtu kostoja ka qenë më e lartë. Megjithatë unë kam këmbëngulur të paguaj një kosto më të lartë, të paguaj më shumë para që Kombinati këtu të mbetet i hapur dhe të ketë mundësi punësimi, këtë mundësi që ne i ofrojmë. Kjo ka qenë edhe perspektiva që ne kemi kërkuar”, deklaroi Imami.