Braçe refuzon delegimin në qarkun e Korçës: Largohem nga Kryesia më mirë

Erjon Braçe
Erjon Braçe, deputeti i Partisë Socialiste është gati të heq dorë nga pozicioni si anëtar i kryesisë së kësaj partie për faktin se nuk është dakord me vendimin për delegimin e tij në qarkun e Korçës. Braçe, shkruan në profilin e tij në Facebook se do ti shërbejë partisë dhe “jo partia të fitojë për atë. “Kërcënimi” i tij vjen pasi drejtuesit e lartë të PS-së janë shprehur me vendosmëri se zbatimi i delegimit është i detyrueshëm.
Nuk jam fare i interesuar se në cilën zonë elektorale do jem në 2013! Kjo nuk ka rëndësi! Jam i interesuar të respektoj njerëzit që më kanë votuar, socialistët që më kanë mbështetur, Tani! Jo kur ka zgjedhje! Ndaj nuk i braktis që të mbaj vendin në kryesi!, shprehet deputeti i qarkut të Beratit.
Reagimi i Braçes vjen pas prononcimeve në mediat të Armando Subashit, Sekretar për Burimet Njerëzore dhe Blendi Klosi Sekretar Organizativ. Braca thekson se lista e delegimit nuk është parimore dhe se është e padrejtë, e pabarabartë dhe joproduktive.
Ai nënvizon se i vlerësoj të dy kolegët e kryesisë por nuk u jap të drejtë duke shtuar se ata janë dy ndër disa anëtarë të kryesisë që nuk e kanë ndërruar qarkun e tyre, pra janë deleguar në qarkun ku kanë edhe zonat e tyre elektorale.