Braçe: Biznesmenët që kandidojnë, të tërhiqen nga sipërmarrja
Fushatë dhe koniunkturë politike, apo angazhim serioz në luftën ndaj korrupsionit të qeverisë? Beteja e Partisë Socialiste në denoncimin intensiv të disa aferave joligjore të ministrave të caktuar vjen në një vështrim kritik, jo vetëm për arsye të ndërprerjes së vet, por për shkak të mos-institucionalizimit të një programi të qartë për korrupsionin, dhe sidomos në kthimin e kulturës së ndëshkimit ligjor. Një dokument referues për këtë gjë, selia rozë e ka pasur në tavolinë që para një viti, teksa në mbledhjen e gushtit të Asamblesë Kombëtare në vitin 2009, nënkryetari aktual i grupit parlamentar, Erjon Braçe ka paraqitur një projekt që përvijohet si draft fillestar për atë që shihet si iniciativë reale për përballimin e kësaj plage. E rikthyer edhe në mbledhjen e fundit të forumit të lartë socialist, paketa në fjalë është mirëpritur, por pa nxitur veprime konkrete, çka me sa duket e shënjon PS-në në të njëjtin status sikurse Partia Demokratike para vitit 2005. “Në tri mbledhje të rëndësishme të dy prej forumeve më të larta vendimmarrëse të PS-së; në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të gushtit 2009, në Kongresin e fundit dhe në mbledhjen e Asamblesë të nëntorit 2010, kam kërkuar që PS-ja të formulojë një qëndrim të qartë, parimor dhe konkret për korrupsionin, produktin, dëmin e tij në ekonomi e shoqëri, ndëshkimin e favorizuesve, ushtruesve, përfituesve të korrupsionit; të vendosë mbi të dhe me çdo mjet politik e parlamentar të angazhohet në një betejë të vërtetë kundër korrupsionit. Propozimi në të tri mbledhjet ka qenë konkret, për fat të mirë, edhe i përkrahur. Por, kur ka kaluar më shumë se një vit, asgjë nuk është formalizuar!” - shprehet deputeti socialist, Erjon Braçe. Ai ka parashtruar një seri pikash konkrete, të cilat fare mirë mund të shihen si pikënisje e një angazhimi politik dhe institucional për të materializuar një luftë reale ndaj korrupsionit. Që nga imunitetet, ndryshimet ligjore, e deri te rregullimi i raporteve të përfaqësuesve me të ardhurat e deklaruara, i gjithë “korpusi” i sugjerimeve përshkruan në thelbin e vet atë dukuri, manifestimi i së cilës shihet sot në të gjitha mjediset e politikës shqiptare. “Korrupsioni është kthyer në mënyrë jetese dhe po kriminalizon shtetin, gjithë jetën politike shoqërore në Shqipëri. Një pakicë gjithnjë e më e njohur, me mbështetje të fortë politike, po pasurohet përmes korrupsionit, ndërkohë që dëmet e praktikave korruptive arrijnë në 1 miliard euro në vit. Korrupsioni po rrezikon të shpërbëjë sistemin tonë demokratik!” - vijon mandej Braçe. Në tërësinë e pikave që parashtrohen prej tij në formën e një dokumenti, ndoshta të parë në PS për këtë dukuri, bie në sy ai që ka të bëjë me rregullimin e raporteve të përfaqësimit në pushtetin lokal dhe atë qendror. “Përfaqësimi politik me sipërmarrjen, në nivel vendor apo qendror, duhet të ndodhë me kushtin e patjetërsueshëm të heqjes dorë më parë nga: çdo interes privat (individual apo i familjes biologjike)- në konflikt interesi me detyrën politike e administrative; çdo pronë e paluajtshme apo pasuri e luajtshme (individual apo i familjes biologjike) që krijohen dhe shtohen, direkt apo indirekt - në konflikt interesi me detyrën politike e administrative”, - sugjeron deputeti socialist.